Totaj: Për shkak të Hekuran Muratit, Komunat po rrezikojnë të mbesin pa buxhet
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar urgjentisht nga Ministri i Ministrisë së Financave dhe Tranfereve që të lëshoj Qarkoren e dytë Buxhetore.
Lëshimi i kësaj Qarkore ju mundëson Komunave të Republikës së Kosovës që të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor.
Për kërkesën që bordi i ka bërë ministrisë, për FrontOnline, ka folur anëtari i këtij bordi, kryetari i Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj.
Ai tha se nëse nuk lëshohet qarkorja e dytë buxhetore, asgjë nuk funksionon në komuna.
“Të gjitha rrezikohen, pa buxhet asgjë nuk funksionon. Pasojat do të ishin katastrofale për qytetarët sepse do të pamundësohej fare aktiviteti i Komunave në mungesë të buxhetit”, tha Totaj.
Përveç kësaj, Totaj, tha se mos lëshimi i qarkores e pamundëson edhe miratimin e buxhetit për vitin 2023 në komuna.
“Moslëshimi i qarkores së dytë buxhetore, proceduralit dhe teknikisht pamundëson Komunat që të procedojnë me miratimin e buxhetit për vitin 2023”, tha ai.
Tutje kryetari i komunës së Prizrenit tha se edhe në rast se qarkorja miratohet me vonës, do të ketë pengesa në realizimin e investimeve.
“Edhe sikur të miratohej me vonesë përsëri ka pengesa serioze në përqindjen e realizimit të investimeve / projekteve”, u shpreh ai.
Kryetari, Totaj, se mos lëshimi qarkores po ndodh për herë të parë në Kosovën e pasluftës e kjo sipas tij po ndodh për shkak të neglizhencës së ministrit Murati.
“Për herë të parë po ndodh në Kosovën e pasluftës, që Komunat mund të mbesin pa buxhet për shkak të neglizhencës se ministrit Murati”, deklaroi ai për Front Online.