16-02-2026

Tradita – Krenaria që na mban gjallë

Nga Agron Bytyqi

Të dashur shqiptarë,

Tradita është zemra e një populli. Ajo i jep kuptim jetës sonë, na lidh me rrënjët tona dhe na kujton se kush jemi. Traditat janë ndërtuar ndër shekuj, mes sakrificash, sfidash dhe fitoreve, duke u bërë drita që na udhëheq edhe sot. Andaj, çdo familje duhet ta ruajë dhe ta përtërijë me krenari identitetin, gjakun, kulturën simbolet dhe traditën kombtare.
Ne si shqiptarë shquhemi për tradita të bukura dhe vlera të larta morale.
Në traditën tonë kanë zënë vend të veçantë:

Mikpritja – shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut; respekti ndaj mysafirit ka qenë gjithmonë një virtyt i shenjtë.

Besa e shqiptarit – premtimi i shenjtë, fjala e dhënë që nuk thyhet, simbol i nderit dhe i besueshmërisë.

Kanuni dhe kodi i nderit – një sistem rregullash zakonore që rregullonte jetën shoqërore, duke përcaktuar normat e nderit, mikpritjes, familjes dhe pronës.

Në themel të kësaj tradite qëndron Gruaja shqiptare — e fortë, e mençur dhe e respektuar. Ajo ka qenë ruajtëse e gjuhës, e zakoneve dhe edukatore e brezave. Veshjet tona tradicionale, të qëndisura me dashuri e simbolikë, nuk kanë qenë vetëm zbukurim, por histori të gjalla që tregonin prejardhjen, statusin dhe krenarinë e familjes. Në këngët dhe vallet tona jeton shpirti i një populli që nuk është dorëzuar kurrë.


Për të zhdukur një popull, synohet t’i thyhen morali, krenaria dhe traditat, duke vazhduar me shkatrrimin e gjuhës dhe simbolev kombëtare.
Nga ndikimet e jashtme, tradita ka pësuar ndryshime dhe vazhdimisht ka qenë e rrezikuar nga përpjekjet e pushtuesve të ndryshëm për të zhdukur traditat autoktone dhe për të përhapur kulturën e tyre me qëllim asimilimin e popullit tonë. Ky rrezikim ka qenë i pranishëm ndër shekuj. Gjatë sundimeve të ndryshme janë ndaluar shkollat në gjuhën shqipe, është shtypur kultura shqiptare dhe janë përdorur forma të ndryshme presioni — taksa, dhunë dhe vështirësim i jetesës për ata që nuk pranonin kulturën e pushtuesit.

Sot, detyra jonë është e qartë: ta ruajmë këtë trashëgimi dhe ta përcjellim tek brezat e rinj. Të jemi krenarë për gjuhën tonë, për historinë tonë dhe për kulturën tonë. Ruajtja e traditës nuk do të thotë të mbetemi në të kaluarën, por të ecim përpara duke e ditur mirë se nga vijmë.

Besimi i vërtetë në Zot është të respektojmë traditën tonë dhe atë të të tjerëve, perdorimi i kulturave te huja nuk te ben me te afert te Zoti, perkundrazi eshte kunder vullnetit te Zotit. sepse larmia e kulturave është pasuria më e madhe e njerëzimit. Një popull që ruan traditën e vet, ruan shpirtin e vet. Dhe një popull me shpirt të gjallë nuk mund të zhduket kurrë.
Prandaj, le ta mbajmë gjallë krenarinë shqiptare. Le ta mbrojmë gjuhën, kulturën veshjen, simbolet dhe traditat tona. Sepse ne nuk jemi vetëm trashëgimtarë të historisë — ne jemi vazhduesit e saj.

Lavdi traditës shqiptare. Lavdi popullit shqiptar.🙏🇦🇱

Asnjë koment

Comments are closed.