Trafikanti shqiptar ia drejton armën Policisë së Kosovës në Morinë, arratiset dhe lë pas 21 kile dro*gë
Më 20 gusht 2025, rreth orës 20:30, njësitë hetimore të Policisë së Kosovës nga Departamenti i Kufirit zbuluan një rast të dyshuar të trafikut të drogës përgjatë vijës së gjelbër me Shqipërinë.
Gjatë operacionit në terren, Policia hasi një person të armatosur, i cili mbante një çantë me vete. Sapo vuri re praninë e zyrtarëve, ai drejtoi armën ndaj tyre, duke krijuar një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e tyre.
Pavarësisht se policët u identifikuan dhe i kërkuan të ndalej, i dyshuari braktisi çantën dhe u arratis në drejtim të zonës malore në territorin e Shqipërisë.
Pas kontrollit të çantës, Njësia e Antidrogës konstatoi se brenda saj ndodheshin rreth 21 kilogramë marihuanë.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, ndërsa rasti është cilësuar si tentativë për trafikim të lëndëve narkotike dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë./Albanian Post