Tragjedi në Kore: Rrëzohet avioni ushtarak, humbin jetën katër persona
Katër anëtarë të ekuipazhit humbën jetën pas rrëzimit të një avioni të marinës së Koresë së Jugut të llojit P-3C Orion në qytetin bregdetar juglindor të Pohang, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas një deklarate nga Marina e Koresë së Jugut, trupat e viktimave janë identifikuar dhe aktualisht është duke vazhduar procesi i rikuperimit të tyre. Në përgjigje të incidentit tragjik, autoritetet kanë ngritur një grup pune për të hetuar shkaqet e rrëzimit dhe kanë pezulluar përkohësisht operimin me flotën e avionëve P-3C.
Zyra emergjente në Pohang bëri të ditur se pas raportimeve nga banorët për rrëzimin e një avioni në një kodër pranë një kompleksi banimi, ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit ndërhynë menjëherë në vendngjarje për të përballuar zjarrin e shkaktuar nga përplasja. Në operacion morën pjesë dy helikopterë dhe rreth 40 zjarrfikës.