Një fëmijë i moshës 1 vjeçare e ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një shtëpi sot në Prizren.
Rreth ngjarjes tragjike për Klan Kosova ka folur një dëshmitar.

“Ishim duke ndejtur në lokal, dëgjuam disa bërtima të komshinjve dhe u afruam të shohim ngjarjen, kur e pamë që shtëpia kishte filluar të kallet. Është ky restoranti “Fish House”, ata i shpëtuan, tre fëmijët dhe gruan. Pastaj, ne vrapuam, ata treguan që fëmijës së vegjël po i ndihej zëri, por për shkak të zjarrit nuk kishim mundësi të bënim diçka, pasi që flakët ishin të pashmangshme”, deklaroi ai për Klan Kosova.
“Zjarri filloi diku në ora 09:45, ashtu e morëm vesh ne. Bile, unë e theva derën kryesore, por nuk mund të hynim brenda për shkak se flakët e kishin kapluar shtëpinë. Shtëpia ishte e vjetër, me dru dhe kishim të pamundur të hyjmë brenda, pastaj erdhën zjarrfikësit por fatkeqësisht fëmija nuk u arrit të shpëtohej”, theksoi ai.

Nga ky rast i rëndë, lëndime morën edhe tre fëmijë të moshës, 4,6 dhe 10 vjeç të cilët po trajtohen në Spitalin e Prizrenit dhe janë në gjendje stabile./KK
