Trajneri Challandes ‘qan’ mungesat për ndeshjen përballë Çekisë për Euro 2020
Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë ndaj Çekisë dhe Anglisë në ndeshjet e radhës kualifikuese të Euro 2020. Trajneri Bernard Challandes përballet me mungesat e 5 lojtarëve, por gjithsesi ai pret që skuadra e tij të luajë e bashkuar në këto dy ndeshje dhe të japë maksimumin e saj.
Challandes theksoi se përfaqësuesja Kosovare duhet të marrë më të mirën e mundshme nga këto dy ndeshje duke shtuar se disa lojtarë nuk janë akivizuar shumë kohët e fundit dhe se ai gjatë kësaj jave do të bëjë vlerësimin e tyre për të marrë edhe një vendim.
“Kemi disa lojtarë që nuk kanë luajtur aq shumë kohëve të fundit. Për mua do të jetë shumë e rëndësishme që t’i shoh nga afër në këtë javë që i kemi në stërvitje, t’i ndjej nga afër përgatitjet e tyre. Në konsultim me trajnerin fizik që e kemi në kombëtaren tonë por edhe me futbollistët besoj që gjatë javës që do të punojmë së bashku, do të jemi në gjendje për ta vlerësuar sa më mirë situatën e gjithsecilit”- vazhdoi më Challandes.
Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë ndeshjen me Çekinë në 7 shtator në stadiumin Fadil Vokrri të Prishtinës, ndërsa në 10 shtator do të luajë ndaj Anglisë në St.Mary Stadium të Southamptonit. Kosova është në grupin A të kualitikueseve të Euro 2020 dhe është në vendin e tretë me 5 pikë, 1 më pak se Anglia dhe Çekia. /Top Channel