Tregu i pakontrolluar i naftës në Kosovë dhe dyshimet për fiksim të çmimeve
Brenda 3-4 muajve, këto çmime janë rritur për 20 deri në 25 centë.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, thotë se niveli i këtyre çmimeve varet nga përcaktimi i çmimeve të naftës dhe derivateve të saj nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), si dhe nga bursa ndërkombëtare.
Sipas tij, kur ka reduktim të prodhimit të naftës dhe derivateve të saj në tregjet botërore, atëherë edhe çmimet rriten.
Megjithatë, ai e vlerëson të çuditshëm hovin e fundit.
“Çdo ditë, gjatë tërë muajit janar dhe këtij muaji [shkurt], po ashtu në muajt dhjetor dhe nëntor [të vitit të kaluar] ka pasur vetëm rritje. S’ka pasur asnjëherë zbritje. Kjo është e çuditshme dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Por, kjo është duke ndodhur për momentin. Çdo ditë kemi rritje 25 dollarë për tonë. Zbritje të çmimit ka pasur vetëm mbrëmë [më 7 shkurt] për një dollar më pak. Kjo nuk çon peshë fare”, thotë Berjani.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, në rritjen e çmimeve kanë ndikuar tensionet gjeopolitike dhe pabarazia në rritje midis ofertës dhe kërkesës.
Berjani thotë se kompanitë, që furnizojnë me naftë në Kosovë, këtë derivat me shumicë e blejnë me çmim prej 1.21 eurosh për litër. Ky çmim, sipas tij, është i lartë dhe reflekton edhe në çmimin e lartë të shitjes me pakicë te konsumatorët.
Berjani, pa dhënë shumë detaje, thotë se ka indikacione se çmimet e naftës dhe benzinës mund të shënojnë rënie në ditët në vijim, për shkak se këto çmime mund të shënojnë rënie edhe në tregjet botërore.
Naftëtarët “vonohen” për t’i liruar çmimet
Por, Zahir Latifi, ngasës i taksisë në Prishtinë, është skeptik. Ai thotë se përvojat e deritashme kanë treguar se edhe kur bien çmimet në bursë, naftëtarët e Kosovës vonojnë zbritjen e çmimeve. Për më tepër, shton ai, çmimet nuk kthehen në nivelin paraprak.
“Këta [naftëtarët e Kosovës] jo që e vonojnë, por nuk e lirojnë fare. Vetëm nëse çmimi në bursë bie skajshëm, këtu e lirojnë për 5 ose 10 centë. Këta tanët përtojnë t’i lirojnë. Për t’i shtrenjtuar janë të parët, ndërkaq për t’i liruar, jo”, thotë Latifi.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Berjani, nuk e mohon se rënia çmimeve në Kosovë vonon pas rënies së çmimeve në bursë. /IO