Tri familje nga Kosova dhe ekipi i mundjes ishin në zonën e tërmetit
Derisa numri i viktimave nga tërmeti në Turqi vjen duke u rritur – aktualisht mbi 5 mijë – institucionet e Kosovës konfirmojnë se, tash për tash, në mesin e tyre nuk ka asnjë shtetas të Kosovës.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thonë për Radion Evropa e Lirë se kanë arritur t’i identifikojnë dhe kontaktojnë tri familje nga Kosova, ashtu si dhe një ekip të mundësve kosovarë, të cilët kanë qenë duke qëndruar në zonën e goditur nga tërmeti, mëngjesin e 6 shkurtit.
“Me qytetarët që kanë qenë atje në kohën e tërmetit, ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është në komunikim dhe e gatshme për t’i ndihmuar për kthim në Kosovë, apo në ndonjë formë tjetër”, thanë nga MPJD-ja, pa dhënë më shumë detaje.
Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt me ndonjë anëtar të këtyre familjeve.
REL-i foli një ditë më herët me sekretarin e Federatës së Mundjes së Kosovës, Genci Fazlia, i cili bashkë me një ekip mundësish ndodheshin në qytetin Kahramanmarash të Turqisë, kur u godit nga tërmeti.
“Të gjitha objektet përreth nesh u shkatërruan, vetëm objekti jonë mbeti në këmbë, ai hoteli ku ishim ne të vendosur. Kemi qenë në rrezik. Rrëzoheshin objektet. Dy ndërtesa nga 20 kate u rrëzuan afër nesh këtu”.
“Kemi nxjerrë njerëz nga gërmadhat sa kemi mundur, derisa dikur u lagëm krejt, sepse binte borë dhe shi dhe u desh të largohemi”, tha Fazlia.
Ekipi i mundjes i Kosovës, i drejtuar nga trajneri Ziber Xhoni, mundësit Fatlum Beka, Bleonit Bytyqi dhe Egzon Xhoni, si dhe sekretari i Federatës së Mundjes, Genci Fazlia, ndodheshin në Turqi për të marrë pjesë në turneun “12 Shkurti”, i cili është pjesë e kalendarit zyrtar të garave ndërkombëtare të mundjes.
Fazlia konfirmoi për REL-in se ata, aktualisht, ndodhen në Stamboll dhe se presin që mbrëmjen e 7 shkurtit të udhëtojnë me avion drejt Shkupit të Maqedonisë së Veriut.
Kosova i ofroi mbështetje Turqisë pas tërmetit, duke i dërguar pjesëtarë të Forcës së saj të Sigurisë, të trajnuar për operacione të kërkim-shpëtimit.
Ambasada e Kosovës në Turqi, ndërkaq, hapi dy numra emergjentë për qytetarët e Kosovës, në rast se u duhet ndihmë:
Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99
Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91