24-11-2024

Tri javët e Rrahmanit, si e uli pazarin kryesindikalisti i mësuesve një ditë para seancës për buxhetin

Për tri javë Rrahman Jasharaj u bë figurë e rëndësishme në vend. Rreth 300 mijë nxënës kosovarë dhe prindërit e tyre po “ia ruanin gojën”, për të mësuar se kur do të niste mësimi i ndërprerë. Ai po kërkonte në emër të 27 mijë mësuesve një rritje prej 30 për qind të pagave, duke u thirrur në një marrëveshje me Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn të vitit 2017, kur po kërkonin votat e kosovarëve. Të premten Veseli e Haradinaj e bindën Jasharin të ulë pazarin, duke pranuar rritje prej 20 për qind dhe t’i harrojë kërcënimet se mund të humbë krejt viti shkollor

Mësimdhënësit kërkuan 30% rritje të pagave, marrëveshja për ndërprejen e grevës u arrit me 20% rritje.

Për tri javë rresht dyert e shkollave fillore dhe të mesme qëndruan të mbylluara për nxënësit. Përfaqësues të SBASHK-ut paralajmëruan se mund të humbasë komplet viti shkollor në rast se Qeveria nuk ua plotëson kërkesat. Por, sot u arrit marrëveshja për ndërprerje të grevës së mësimdhënësve. Ndonëse Qeveria nuk ia plotësoi 100 për qind kërkesat, Rrahman Jasharaj tha se oferta e qeverisë ishte e përafërt me kërkesat e tyre

Dramë e madhe u zhvillua përgjatë tri jave sa mësimdhënësit hyrën në grevë. Prindërit bënin presion që të fillonte mësimi, kryeministri Ramush Haradinaj kërkonte ndërprerjen e grevës duke ofruar që pagat e mësimdhënësve të rritën për 10 %, por as këtë nuk e pranoi Rrahman Jasharaj. Shumë kush hyrjen e mësimdhënësve në grevë e cilësoi si grevë politike. Termi “grevë politike” mori më shumë kuptim sot kur kryeparlamentari Kadri Veseli vrapoi ta publikonte në Facebook se mësimi do të fillojë të hënën. Pak minuta pas Veselit, se marrëveshja për ndërprerjen e grevës u arrit në Facebook publikoi edhe Ramush Haradinaj. SBASHK i demantonte të dy se ishte arritur marrëveshje.

Pas këtij pështjellimi, përmes një konference të përbashkët për media, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Rrahman Jasharaj konfirmuan se mësimi do të nisë të hënën, duke mos konkretizuar se cilat kushte ua plotësuan atyre.

Për të sqaruar se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë Gazeta Express ka biseduar me nënkryetaren e SBASHK-ut Vjollca Shala. Ajo se greva u ndërpre pasi Qeveria ofroi që pagat të rriteshin 20% për mësimdhënësit, megjithëse këta të fundit kishin kërkuar rritje prej 30%.

Mësimdhënësit hynë në grevë për rritje pagash. Ata kërkonin rritje të pagave siç ka ndodhur me mjekët, policët dhe kategoritë e tjera. Kjo rritje ka ndodhur sot për gjithë sektorin e arsimit parauniversitar. Paga me rritje nuk do të ketë për profesorët e Universiteteve Publike në Kosovë.

Mësimdhënësit kërkuan që pagat të ju rriteshin për 30 për qind ndërsa qeveria vendosi për 20 për qind rritje. Kjo ofertë edhe u pranua nga përfaqësuesit e SBASHK-ut.

Nënkryetarja e SBASHK, Vjollca Shala tha për Gazetën Express se mësimi do të fillojë të hënën pasi pagat iu rritën për 20 për qind mësimdhënësve.

“Kemi një rritje për tërë sektorin e arsimit parauniversituiar dikun 20% më shumë. Kërkesa ka qenë për rritje të koeficientit për 30%, por oferta e qeverisë ka qenë e pranueshme”, tha Shala.

Ndryshe, paga bazë me normë të plotë mësimore deri dje e arsimit parauniveristar në Kosovë ka qenë 430-450 euro, ndërsa sipas tabelës që ka siguruar Gazeta Express i bie që pagat do të jenë 500-700 euro.

 

Asnjë koment

Comments are closed.