Tri zjarre nga fishekzjarrët në rajonin e Prizrenit
Tri incidente zjarri kanë ndodhur në Prizren, të cilat dyshohet se janë shkaktuar prej fishekzjarreve e mjeteve tjera piroteknike, ndërsa një person ka marrë trajtim mjekësor.
Rastin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi policor për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
“Kemi të raportuar për një lëndim trupor, në dorë të një mashkulli i cili këtë lëndim e ka marrë nga mjetet piroteknike, momentalisht ai është duke marrë trajtim mjekësor në Spitalin rajonal të Prizrenit dhe është jashtë rrezikut për jetë” ka thënë Gashi.
Gashi po ashtu ka treguar edhe për incidentet që kanë ndodhur e që dyshohet se janë shkaktuar nga fishekzjarret por që njësiti policor ende është në hetim.
“Në Lubishtë ka ndodhur një zjarr por që është lokalizuar nga banorët, në Suharekë ka ndodh një incident me zjarr dhe flakë ka marrë edhe kulmi i Shkollës “Motrat Cirjazi në Prizren”, ka shtuar Gashi.
Njësitet policore janë në vendet e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastet.