Trusti Pensional raporton për kthim simbolik pozitiv
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) ka raportuar një kthim simbolik pozitiv nga investimet. Deri në fund të muajit nëntor të këtij viti, kthimi nga investimet e Trustit jashtë vendit, ishte vetëm 47.6 milionë euro.
Ky kthim pozitiv vjen tek pas muajit qershor kur Trusti Pensional kishe filluar të këndellet nga kriza në tregjet e jashtme, ku pas disa muajsh humbje prej mbi 118 milionëve, në këtë muaj kishte pasur kthim pozitiv prej 24 milionë eurove.
Ndërsa, në janar dhe shkurt 2023, kthimi nga investimet ishte shënuar minus 118 milionë për të dy muajt.
Kujtojmë se edhe gjithë viti 2022, kishte qenë vazhdimisht me kthim negativ prej miliona eurove për Trustin, për shkak të krizave të njëpasnjëshme në tregjet ndërkombëtare.
Sipas raportit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për muajin nëntor 2023, vlera e kontributeve të reja në FKPK është 212.3 milionë euro, derisa vlera e çmimit të aksionit ishte 1.65 euro.
Në anën tjetër, kthimi në investime për Fondin Slloveno-Kosovar të Pensioneve në këtë periudhë ishte 413 mijë euro, kurse kontributet e reja në të arritën në 492 mijë euro.
Ndërkohë, vlera e çmimit të aksionit në këtë Fond (FSKP), ishte 188.12€ ./BE