U.d i menaxherit të Prokurimit në Rahovec thotë se s’kanë pasur ankesa nga ndonjë operator ekonomik lidhur me aktivitetet e prokurimit
Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Astrit Mullabazi, ushtrues detyre i menaxherit të prokurimit në Komunën e Rahovecit, i cili bashkë me Tahir Balën, akuzohet për korrupsion, tha se nuk kanë pasur ankesa nga ndonjë operator ekonomik, lidhur me aktivitetin e prokurimit.
Këtë deklarim, Mullabazi e bëri gjatë fjalës hyrëse, pasi paraprakisht pas leximit të aktakuzës të bërë nga ana e prokurores Dëshirë Jusaj, bashkë me të akuzuarin Tahir Bala, deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprat të cilat iu vihen në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mullabazi po ngarkohet se ia ka mundësuar në mënyrë të kundërligjshme një operatori ekonomik që t’i fitojë tre tenderë në Komunën e Rahovecit, të cilat kapin shumën e mbi 100 mijë euro. Ndërsa, për mashtrim në prokurim publik po akuzohet biznesmeni Tahir Bala, përkatësisht pronari i biznesit që ka fituar tenderët që janë objekt i aktakuzës.
Mbrojtësi i të akuzuarit Mullabazi, avokati Rasim Behluli, tha se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale si në aktakuzë.
“Tenderin për ndërtim të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Qifllak, e kanë fituar operatori “Sinani”, me seli në Prishtinë dhe “Age Group”, të cilët më vonë kanë lidhur kontratë bashkëpunimi dhe e kanë ndërtuar këtë objekt”, tha avokat Behluli.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Bala, avokati Myhedin Bekiri, deklaroi se formulimi i dispozitivit të aktakuzës është abstrakt dhe nuk është konkretizuar se cilat dokumente të rreme i ka paraqitur i akuzuari dhe se përshkrimi i tillë është i pabazuar
Në këtë seancë, u dëgjuan edhe dëshmitarët Muharrem Morina dhe Ekrem Bytyqi.
Dëshmitari Morina tha se në vitin 2019 ka qenë zyrtar i Gjendjes Civile në Rahovec. Ai tha se ka qenë kryesues i komisionit për vlerësim të dokumentacionit në këtë rast dhe se i njëjti komision ka pasur rol këshillë-dhënës, duke i rekomanduar zyrës së prokurimit, por që vendimet i ka marrë kjo zyrë.
Kurse, dëshmitari Ekrem Bytyqi, tha se kishte qenë anëtar i komisionit, në të cilin “Sinani” Sh.p.k., në konzercium me “Age” sh.p.k., i janë rekomanduar zyrës së prokurimit.
Seanca e radhës është caktuar më 16 maj 2023, ku pritet të dëgjohen edhe dëshmitarët tjerë.
Sipas aktakuzës, Astrit Mullabazi po akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës se menaxherit të prokurimit në Komunën e Rahovecit, nga intervali kohor duke filluar nga muaji korrik deri në fund të muajit nëntor të vitit 2019, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare për t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore Tahir Balës, si dhe t’i shkaktojë dëm operatorëve tjerë pjesëmarrës në tenderim.
Tutje, sipas aktakuzës, Mullabazi këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me nenin 24, paragrafi 1 dhe nenin 62, paragrafi 1.1 të Ligjit për prokurimin publik, i ka mundësuar operatorit ekonomik të ofertojë në mënyrë të kundërligjshme si individual dhe në grup të operatorëve ekonomik, pronarit të bizneseve “AGE Group Shpk” dhe “DC Group Shpk”, Tahir Bala, që t’i fitojë tenderët: “Ndërtimi i QMF-së në fshatin Qifllak”, në shumën prej 82 mijë e 996 euro e 59 centë, tenderin: “Furnizimi me material ndërtimor për merimentim të shtëpive për persona në nevojë”, në shumën prej 8 mijë e 857 euro e 50 centë, tenderin: “Ndërtimi i pllakës përkujtimore Altari i Lirisë”, në shumën prej 13 mijë e 466 euro, duke nënshkruar kontratat e punës për operatorët ekonomik fitues të tenderëve, duke favorizuar operatorin ekonomik në kundërshtim me dispozitat e ligjit të zbatueshëm.
Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Tahir Bala po ngarkohet se gjatë intervalit kohor të lartcekur duke shkelur rregullat për prokurimin publik, gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, i njëjti ka paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit të autoritetit kontraktues në cilësinë e personit përgjegjës, pronar i bizneseve “AGE Group Shpk” dhe “DC Group Shpk”, si operator në mënyrë individuale dhe si grup i operatorëve ekonomik ka ofertuar në mënyrë të kundërligjshëm, duke fituar tenderët e lartcekur, në kundërshtim me rregullat dhe Udhëzuesin Operativ për Prokurimin Publik me nenin 27, paragrafin 5.
Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.