27-11-2024

U tha se një organizatë ruse po shpërndan ndihma në Dragash, Cila është e vërteta?

Ditën e djeshme është hapur një debat ku thuhet se një organizatë Ruse, po vepron në komunën e Dragashit dhe po shpërndan ndihma te popullsia gorane.

Kështu ka bërë të ditur aktivisti goran Fatir Berzat, i cili ka thënë se ndihmat po shpërndahen pas orës 18:00, shkruan IndeksOnline.

Ka edhe organizata ruse që funksionon në atë rajon, humanitare në komunën e Dragashit, hala nuk e kemi konfirmu. Mas orës 18:00 zyra hapet dhe shpërndan ndihmë, germat e lokalit janë në gjuhën ruse, por deri tani nuk ka pas ndonjë reaksion nga zyrtarët kur kemi pyet se çka është e ku është. Ata punojnë pas orës 18:00 në mbrëmje, në atë pjesë është pak terr dhe nuk është mirë me lëvizë andej”, tha Berzati në emisionin  ‘Frontal’ në T7.

Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe kryetari i Dragashit Bexhet Xheladini.

AI ka thënë se organet kompetente janë në dijeni me deklaratën e këtij personi, dhe gjatë takimit të fundit me qytetarët e regjionit të Gorës, nuk janë vërejtur lëvizje dhe as dyshime të tilla.

‘’Ju njoftoj se organet kompetente janë në dijeni me deklaratën e këtij personi. Ne gjatë takimeve publike me qytetarët e regjionit të Gorës, nuk kemi vërejtur lëvizje dhe as dyshime të tilla, por organet kompetente janë ato të cilat do ta sqarojnë informatën e Fatir Berzatit.”, ka thënë Xheladini.

Këtij debati i është bashkuar edhe asambleisti nga komuniteti goran në Kuvendin Komunal të Dragashit, Nedzmidin Sejdilar.

Ai ka thënë se deklarata e Fatir Berzatit se një organizatë Ruse po shpërndan ndihma te popullsia gorane në Dragash, është një trillim nga një individ i cili nuk ka peshë publike, dhe ka kërkuar nga televizioni T7 ti kërkoj falje popullit goran.

‘’Kam vënë re në rrjetet sociale trillimet e të ashtuquajturit aktivist të vetëshpallur goran, i cili pretendon se ka zyra ruse në Gorë që gjoja punojnë në “errësirë” pas orës 18:00.

Pres që ju si televizion serioz t’i kërkoni urgjentisht falje popullit tim, gjegjësisht gjithë komunitetit goran, si dhe t’i shpjegoni gjithë publikut kosovar se ishte një trill i thjeshtë i një individi që nuk ka absolutisht asnjë peshë publike.’’, ka thënë Sejdilar për TVOpoja.

Ai ka bërë akuza të rënda ndaj televizionit T7, duke thënë se me këto gënjeshtra po mohohet  liria e lëvizjes e një komuniteti dhe po promovohet gjuha e urrejtjes përmes deklaratave të mjegullt, të rreme dhe të turpshme dhe titujve pompozë.

‘’Është e paimagjinueshme që të sillni në emision dikë që do t’ju rrisë në mënyrë të papërshtatshme vlerësimet me trillimet e tij pa menduar se me këto gënjeshtra po i mohoni lirinë e lëvizjes së një komuniteti që është Kategoria Kushtetuese në Kosovë.

Është e papranueshme që ju etiketoni një komunitet për hir të shikueshmërisë dhe promovoni gjuhën e urrejtjes përmes transmetimit të deklaratave të mjegullt, të rreme dhe të turpshme dhe titujve pompozë.

Sot, kompania juaj mediatike mohoi me vetëdije lirinë e lëvizjes së një komuniteti dhe kështu kërcënoi sigurinë e tij. Ky është një skandal që mashtroi mbarë opinionin kosovar dhe më gjerë.

Domethënë, dua të theksoj se pas të pavërtetave të tilla të turpshme, asnjë Goran nuk mund të thotë lirisht se është goran në Prishtinë, Pejë, K. Polje dhe shumë qytete të tjera të Kosovës pa u shqetësuar për sigurinë e tij.’’, ka shtuar Sejdilar./IndeksOnline/

Asnjë koment

Comments are closed.