24-11-2024

Udhërrëfyesi i Prizrenit dhe i Maleve të Sharrit

Promovimi i vlerave turistike të Prizrenit me rrethinë është përditshmëria aktuale e Edis Krushës. Ai është rritur në qytetin e vjetër, duke qenë i rrethuar me monumentet e trashëgimisë kulturore dhe bukuritë magjepsëse të trashëgimisë natyrore, të cilat tani me ëndje i prezanton para turistëve, që kryesisht janë ndërkombëtarë.

Përvoja disavjeçare në këtë fushë e ka bërë udhërrëfyes të qytetit, si dhe të Maleve të Sharrit. Puna në fushën e turizmit ka bërë që të operojë edhe me një bujtinë në qendër të qytetit, si biznes familjar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përmes angazhimit për promovimin e vlerave turistike synon që ta prezantojë Kosovën, si një vend normal, me njerëz të këndshëm.

Image

“Qëllimi është me tregu se Kosova nuk është një vend konflikti dhe i pasigurt. Dëshiroj që turistët përmes përjetimit të vlerave turistike të saj, ta shohin se kemi të bëjmë me një vend të lirë dhe njerëz mikpritës”, ka thënë Krusha.

Sipas tij, materiale njoftuese ka për Kosovën, porse ato si të tilla nuk mjaftojnë. “Broshura e harta ka boll për Kosovën. Por kemi nevojë që me ardhë grupet e turistëve dhe me e përjetu Kosovën, të bukurën dhe tradicionalen në të”, ka deklaruar Krusha.

Ai tregon se prej kohësh, në mënyrë të vazhdueshme, merret me aktivitete fizike. Ndërkohë disa vite më parë në Prizren ka ndjekur trajnimin për t’u certifikuar si ciceron i qytetit, derisa në Francë është aftësuar për ecjen në borë dhe për kërkim-shpëtim në rast të ortekut. Të gjitha këto janë bërë shkas që ai të ndërlidhë turizmin e aktivitetin fizik, teksa ofron shërbimin e udhërrëfyesit.

Asnjë koment

Comments are closed.