UEFA ka vendosur 31 korrikun afat përfundimtar për mbylljen e kampionateve nacionale
UEFA dhe Asociacioni i Klubeve Evropiane (ECA) janë pajtuar që të përfundohen kampionatet nacionale deri në fund të korrikut, duke lënë kështu gushtin të lirë për të vazhduar Liga e kampionëve dhe Liga e Evropës, shkruan gazeta “AS”.
ECA është përkushtuar që të sigurojë që të gjitha kampionatet vendore të mbyllen deri më 31 korrik. E brenda muajit gusht do të mbyllej Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës.
Nëse kampionatet nuk do të mund të mbyllen, si në rastin e Holandës edhe Belgjikës, UEFA ka vendosur të lë te federatat nacionale për të marrë vendim. Koeficienti i UEFA-s nuk do të përdoret për të kalkuluar se kush futet në Evropë, por secili vend do të caktojë kriteret e veta.
Me rëndësi është që të jetë lista e klubeve që janë kualifikuar për kupat evropiane deri më 31 korrik.
Sa i përket kupave nacionale, në rast se nuk përfundohen, ka gjasa që vendi të shkojë te klubi që është më së larti i renditur në tabelë.
Këto çështje do të diskutohet nesër në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.