27-11-2024

UP njofton se nuk do të ketë afat të prillit për provime

Menaxhmeti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar studentët dhe stafin, se pas situatës me pandeminë Covid-19, provimet e afatit të jashtëzakonshëm të prillit nuk janë të realizueshme në këtë fazë, transmeton IndeksOnline.

“Njëherësh, ashtu siç jeni njoftuar zyrtarisht, Universiteti i Prishtinës ka filluar përgatitjet për të gjetur format më të përshtatshme për të bërë të mundur realizimin e provimeve virtualisht, në rast se situata do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në muajin qershor, kur zhvillohet afati i provimeve të rregullta, të përcaktuara sipas Statutit të UP-së”, thuhet në komunikatë.

 

Tutje thuhet se lidhur me këtë, Universiteti i Prishtinës do të konsultojë dhe do të marrë vendime në kuadër të organeve kompetente dhe më pas do të publikojë njoftim zyrtar për vendimet e marra. Deri atëherë,  të gjitha pretendimet e tjera mbesin opinione personale ose diskutime të brendshme.

 

“Menaxhmenti i UP-së garanton, që të gjitha vendimet e marra, do të bazohen në parimin e së mirës në favor të studentëve dhe stafit të tij, si dhe në përputhje me vlerat themelore të arsimit të lartë dhe kornizës ligjore në fuqi”, përfundon komunikata.

Asnjë koment

Comments are closed.