UPZ-ja rrezikon krizën institucionale nëse nuk arrihet kompromisi në Këshillin Drejtues
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren rrezikon që të hyjë në krizë institucionale. Në fund të këtij muaji, përkatësisht më 28 tetor, rektorit aktual Ramë Vataj i skadon kontrata, ndërkohë që vendimi i Këshillit Drejtues të këtij universiteti për zgjedhjen e rektorit të ri është pezulluar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, shkruan sot Koha Ditore.
Rektorati i UPZ-së ka vlerësuar se në këtë situatë KD i UPZ-së duhet të emërojë një ushtrues të detyrës së rektorit.
Por edhe për emërimin e u.d. të rektorit sipas dispozitave të Statutit të UPZ-së nevojiten dy të tretat e votave të anëtarëve të KD-së, i cili në muajt e fundit ka qenë i ndarë në dy tabore sa i përket çështjes së zgjedhjes së rektorit të ri të UPZ-së.
Prandaj, kompromisi në këtë organ drejtues shihet si mundësi e vetme për të krijuar një zgjidhje të përkohshme për autoritetin kryesor menaxhues të Universitetit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe rektorati i UPZ-së, duke vlerësuar se kompromisi i palëve është i nevojshëm, për hir të institucionit dhe studentëve.