29-11-2024

UPZ mbajti akademi përkujtimore kushtuar Prof. Dr. Sabahajdin Cenës

Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, të enjten është mbajtur akademi përkujtimore për veprën dhe jetën e Prof. Dr. Sabahajdin Cenës, i cili ka ndërruar jetë para një jave, në moshën 69 vjeçare, raporton Gazeta e Prizrenit.

Profesor Cena ishte pedagogu i parë i rregullt në UPZ, i cili ka punuar mësimdhënës, edhe në SHLP dhe në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues dhe Dekan i Fakultetit të Filologjisë.

Në akademi përkujtimore morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ushtrisë, shoqatave të dala nga lufta e UÇK, ish-kolegë mësimdhënës të profesorit, familjarët dhe qytetarë të shumtë. Është t’u përmendur se në këtë Akademi munguan zyrtarët e lartë lokal të Prizrenit, përfshirë edhe ata të arsimit.

Rektori i UPZ-së,  Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj, theksoi se profesori Sabahajdin nuk i zakonshëm, por më shumë se një profesor, ishte një misionar në profesionin e mësimdhënies. “Kur e kërkoi atdheu, i rroki armët për t’i dalë krah vendit. Librat i mbante me vete. Ishte studiues i jashtëzakonshëm dhe profesor i pazëvendësueshëm. Ikja e tij do të lërë një zbrazëtirë të madh në mesin tonë”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smaj Latifi derisa e ngriti lart figurën dhe kontributin e profesorit të ndjerë,  tha se duhet të ndihemi të lumtur dhe krenar që patëm fatin të bashkëpunojmë me të. “Besojmë se prof Cena ka ende për të thënë, sepse janë gati për botim edhe dy vëllimet e fundit të monografisë “Kronikë nëpër stuhi”, ndërsa me një punë më të kujdesshme mund të përpunohen e botohen edhe shumë dorëshkrime në formën e memoareve”, tha ai.

Në emër të familjes, një fjalë e mbajti djali i tij, Alfredi, duke thënë se ndihet krenar që kishin prind profesorin Cena, që përkundër angazhimit në universitet e luftë, gjithmonë ishte kujdesur edhe për mirëqenien e familjes.

Në emër të bashkëluftëtarëve të profesorit Cena, foli Qemajl Krasniqi i cili rikujtoi kontributin e profesorit në çlirimin e vendit.

Prof. Cena ka botuar shumë artikuj, punime shkencore dhe monografi.

/Gazeta e Prizrenit /

Asnjë koment

Comments are closed.