Urdhërarrest i hapur ndaj të akuzuarit se shiti një veturë me ndalesë për shitje në Suharekë
Për shkak se i akuzuari për dëmtim të të drejtave pronësore të personit tjetër, Arsim Lumi, ka munguar përsëri në seancë, ndaj tij Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, të enjten ka lëshuar urdhërarrest të hapur.
Gjykatësi Lavdim Bajraktari bëri të ditur se i akuzuari ka qenë i ftuar përmes urdhëresës për sjellje me detyrim, por se e njëjta nuk është zbatuar.
Në këto rrethana, ndaj Lumit është lëshuar urdhërarrest i hapur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, seanca e së enjtes u shty në kohë të pacaktuar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i akuzuari Arsim Lumi nga 20 prilli 2017 e deri më 21 nëntor 2018, me qëllim që të pengojë pagesën e borxhit kreditorit, gjatë ekzekutimit të detyrueshëm tjetërson asgjëson ose fsheh pjesë të pasurisë dhe me këtë dëmton kreditorin-të dëmtuarin Salih Pirku.
Sipas aktit akuzues, duke mos mundur që ta regjistrojë automjetin e tij, i njëjti e tjetërson- shet automjetin e markës “Daimler Chrysler”, për të cilin automjet kishte të vendosur ndalesën për regjistrim, përkatësisht për mos-shitje dhe tjetërsim nga Ministria e Punëve të Brendshme- Drejtoria për Regjistrimin e Automjeteve, me ç’rast të dëmtuarit Salih Pirku, i shkakton dëm material.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Dëmtimi i të drejtave pronësore të personit tjetër” nga neni 344, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.