29-01-2025

Urdhërohet masa e ndalimit për policin që dyshohet se shkaktoi aksidentin tragjik

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit të mbrëmshëm, në fshatin Çubrel të Skenderajt, ku mbetën tre të vdekur, raporton Gazeta Sinjali. 

Sipas IPK-së, bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat  i mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit zyrtar, i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.

Ndaj policit të dyshuar, tashmë është lëshuar edhe urdhri për ndalim policor.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Për këtë rast, është ndaluar një (1) person me vendim të prokurorit për dyzetetetë (48) orë, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik – me fatalitet”, tha Preteni.

Nga ky aksident tragjik mbetën të vdekur tre anëtarë të familjes Gashi nga Peja, Zarife Gashi, rreth 70 vjeçare, Agim Gashi, rreth 50 vjeçar dhe Gyltene Gashi, rreth 48 vjeçare.

Asnjë koment

Comments are closed.