Lutfi Haziri tregon se a do ta dërgojë në Kushtetuese LDK-ja Albin Kurtin
Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur për mundësinë që subjekti i tij ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, kreun e zgjedhur të ekzekutivit, Albin Kurtin, nën arsyetimin se zgjedhja e tij ka qenë e jashtëligjshme, pasi i njëjti në parim nuk u lejua që të kandidoj për deputet të Kuvendit, shkruan Gazeta Express.
Në një intervistë në T7 në emisionin DPT te Fidani, nënkryetari i LDK-së ka thënë se subjekti i tij nuk e ka diskutuar në struktura këtë çështje.
Dërgimin për interpretim në Kushtetuese ai e ka quajtur çështje politike.
“LDK-ja nuk e ka diskutuar këtë çështje, ne e kemi përmend z.Gashi e ka përmend një kryeministër që përmendet me këtë hendikep, ai e nënvizoi si fakt, po sjellja jonë sot në Kuvend dhe në zgjedhjen e Qeverisë është parë çfarë është, është çështje politike”, ka thënë ai.
Haziri ka shtuar se LDK-ja e ka bërë të qartë rolin që do të ketë në paraqitjen që pati në seancën për votimin e Qeverisë kreu i këtij subjekti dhe deputeti, Lumir Abdixhiku.
“Nuk besoj që do të shkojë si pasojë e ndonjë veprimi të LDK-së, nuk është diskutu, sepse ne përmes liderit të LDK-së e kemi pas të qartë rolin tonë dhe mjetet edhe pritjet për rolin e LDK-së në Kuvendin e Republikës”, ka thënë ai.
Në vazhdimësi është diskutuar mundësia që Kurti të dërgohet në Kushtetuese për shkak se zgjedhja e tij si kryeministër është thënë se bie ndesh me ligjin, pasi që i njëjti në parim nuk është lejuar që të kandidojë për deputet.
Se mund ta dërgojnë në Kushtetuese LVV-në dhe Albin Kurtin kanë thënë dje edhe nga Lista Serbe, me arsyetimin se me ndarjen e tanishme të ministrive, atyre iu takojnë dy ministri./GazetaExpress/