Uzuni vlerësohet nga presidentët e klubeve, e shpallin lojtarin e vitit në Hungari
Myrto Uzuni ka marrë një tjetër vlerësim në Hungari. Sulmuesi shqiptar është shpallur lojtari më i mirë i vitit 2021 për kampionatin hungarez.
Media “Csafoci.hu” ka organizuar për herë të shtatë ndarjen e çmimeve për protagonistët e vitit në futboll, ndërsa votimet janë kryer nga presidentët apo drejtorët e vetë klubeve të kampionatit ku Uzuni luan.
Katër nga 12 votuesit kanë përzgjedhur emrin e lojtarit të Kombëtares kuqezi si më të mirin e vitit, duke bërë që të jetë pikërisht 26-vjeçari nga Berati fituesi i këtij çmimi.
Një vlerësim i madh ky për Myrto Uzuni, që po kalon formën më të mirë në karrierë në radhët e Ferencvaroshit.