24-11-2024

Vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç nis në fundjavë

Vaksinimi i të moshuarve mbi moshën 80-vjeçare i paraparë të fillojë të martën, nuk do të ndodhë të paktën deri në fund të kësaj jave. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, të martën dhe të mërkurën do të vaksinohen nëpunësit e institucioneve shëndetësore private dhe atyre të nivelit të kujdesit parësor shëndetësor.

“Deri më tani vaksinimi është zhvilluar kryesisht për nivelin terciar, pra për shërbimin spitalor dhe të Klinikës Universitare të Kosovës, por edhe për kujdesin parësor të Prishtinës, për t’u zgjeruar pastaj me punëtorët e stafit të spitaleve të përgjithshme, ndërsa prej nesër pra edhe kujdesi parësor në komunat e tjera të Kosovës, ndërsa kah fundi i javës ne presim që të fillojë me vaksinimin edhe të grupmoshës mbi 80-vjeçare”, ka theksuar Hoti.

Kosova është e fundit në rajon që është furnizuar me vaksina. Për këtë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se problem paraqet mosnjohja e Kosovës nga dy fuqitë e mëdha. Por ka thënë se janë në pritje të 75 mijë dozave të tjera, për të cilat nuk ka dhënë detaje se kur do të vijnë apo me cilën kompani janë duke negociuar.

“Në parim, duhet ta kemi parasysh që Kosova nuk njihet nga disa shtete, sidomos nga dy fuqi të mëdha. Orientimi ynë është evropian dhe euroatlantik, prandaj e kemi skeptizmin dhe qëndrimin tonë karshi ndihmave të shteteve që nuk na njohin. Në këtë situatë, gjendja është më delikate”, ka theksuar Kurti.

Vaksinimi i punëtorëve shëndetësor në sallën “1 Tetori” ka filluar gjashtë ditë më parë dhe deri më tani janë vaksinuar 3 mijë persona. Në mesin e të vaksinuarve janë edhe personeli shëndetësor i Policisë së Kosovës, ndërsa të martën pritet të fillojë vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë të FSK-së.

Vaksinën për COVID-19 e kanë marrë edhe disa nëpunës civilë e zyrtarë ligjorë të QKUK-së.

Por nga MSH-ja kanë thënë për KOHËN se vaksinimi po shkon sipas Planit shtetëror të vaksinimit, ku kategoria e parë prioritare janë punonjësit shëndetësor, që do të thotë të punësuarit në institucione shëndetësore, mjekë, infermierë, teknik, higjienistë, servues të ushqimit, bocamenë etj.

“Në Planin e vaksinimit janë përcaktuar qartë kategoritë që do të vaksinohen gjatë tri fazave të planit të vaksinimit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se procesi i vaksinimit të mësimdhënësve kosovarë në Shqipëri është shtyrë, pasi nuk ka më sasi të vaksinave “AstraZeneca” dhe ”Pfizer” atje.

Vitia ka thënë se ka pasur kontakte të vazhdueshme me homologen e tij Orgeta Manastirliu, e cila i ka premtuar që sapo të vijnë doza të tjera të këtyre dy llojeve të vaksinave, atëherë një sasi e caktuar do t’i ruhet Kosovës për vaksinimin e mësimdhënësve.

“Dozat e vaksinave ‘AstraZeneca’ dhe ‘Pfizer’ janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu. Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me ‘Sinovax’, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruara në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, ka thënë Vitia.

Ministri i Shëndetësisë shtoi se janë duke pritur ardhjen e 75 mijë vaksinave nga programi COVAX, gjithashtu edhe ndihmat nga Komisioni Evropian, si dhe zbuloi se kanë marrë konfirmim edhe nga disa kompani të tjera për sjelljen e vaksinave në Kosovë, por derisa të nënshkruhet kontrata nuk mund të bëhet e ditur. Vitia bëri të ditur se janë ndarë 50 milionë euro nga Qeveria për blerjen e vaksinave./k.net

Asnjë koment

Comments are closed.