Vala e nxehtësisë mbulon Evropën – Shtetet nisin paralajmërimet për qytetarët
Një valë ekstreme e të nxehtit ka përfshirë një pjesë të madhe të kontinentit evropian, duke shkaktuar alarm shëndetësor në disa shtete dhe duke vendosur rekorde të reja të temperaturave.
Spanja jugore është ndër zonat më të goditura, ku termometri ka kaluar 40 gradë Celsius në qytetin e Seviljes dhe rrethinën e saj. Në El Granado, të shtunën, u shënua një temperaturë prej 46 gradë Celsius, duke vendosur një rekord të ri për muajin qershor. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Spanjës, ky muaj pritet të jetë qershori më i nxehtë që nga fillimi i matjeve.
Situata është kritike edhe në Portugali, Itali dhe Kroaci, ku janë lëshuar paralajmërime serioze për vapë ekstreme. Paralajmërime të kuqe janë dhënë në shumë zona të tjera të Evropës, përfshirë Francën, Austrinë, Belgjikën, Bosnjë e Hercegovinën, Hungarinë, Serbinë, Slloveninë dhe Zvicrën.
Në Barcelonë, një grua ndërroi jetë pas një ndërrimi pune si pastruese rrugësh, në një nga ditët më të nxehta të javës. Autoritetet lokale po hetojnë nëse shkaku i vdekjes ishte goditja nga nxehtësia.
Në Itali, spitalet dhe departamentet e urgjencës po përballen me një rritje të rasteve të goditjes nga i nxehti, veçanërisht te të moshuarit, pacientët me sëmundje të rënda si kanceri, dhe personat e pastrehë. Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.

Edhe Ballkani Perëndimor është përfshirë nga temperaturat përvëluese. Serbia ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë që nga fillimi i matjeve në shekullin e 19-të, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, temperaturat kanë arritur në 42 gradë Celsius. Në Slloveni është shënuar temperatura më e lartë ndonjëherë për muajin qershor.
Ekspertët paralajmërojnë qytetarët që të kufizojnë daljet gjatë orëve të nxehta, të qëndrojnë në vende të freskëta dhe të konsumojnë sa më shumë ujë për të shmangur dehidratimin dhe komplikimet shëndetësore.
Vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke e kthyer këtë verë në një nga më të rrezikshmet në dekadat e fundit për shëndetin publik në Evropë.