Valë e të nxehtit në Kosovë – IKSHPK tregon çfarë duhet bërë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) doli me një njoftim për qytetarët në lidhje me temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin ditëve të fundit.
Përmes një postimi, ky institucion ka dhënë disa këshilla për të parandaluar pasojat që mund të shkaktojë nxehtësia ekstreme.
Në mesin e rekomandimeve të dhëna, përmendet rëndësia e shmangies së pijeve të gazuara dhe alkoolike, konsumimi i mjaftueshëm i ujit dhe qëndrimi në ambiente të freskëta gjatë orëve më të nxehta të ditës, nga ora 10:00 deri në 17:00.
Po ashtu, qytetarëve u rekomandohet të veshin rroba të lehta, të lirshme dhe me ngjyra të çelura, për të reduktuar efektet e nxehtësisë mbi trupin.
“Nxehtësia e lartë mund të jetë rrezik për shëndetin, veçanërisht për personat me sëmundje kronike. Informohuni dhe kujdesuni për veten dhe të afërmit tuaj”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
