Varrosen nënë e bijë, viktima të aksidentit në rrugën Dragash-Zhur, familjarët falin gjakun
Në varrezat e fshatit, Buçe të Opjës, iu dha lamtumira e fundit 39-vjeçares, Valentina Krasniqi dhe vajzës së saj 3-vjeçare, Jetës, të cilat humbën jetën dje në një aksident trafiku në rrugën Dragash-Zhur.
Shumë qytetarë nga vende të ndryshme morën pjesë në ceremoninë e varrimit, ku të pranishëm ishin edhe familjarë të personit që dyshohet se shkaktoi aksidentin.
Familjarët e viktimave e kanë falur gjakun në prani të pjesëmarrësve të kësaj ceremonie mortore, akt ky fisnik që është vlerësuar nga sekretari i KBI të Dragashit, Nail Halimi, raporton Televizoni i Prizrenit.
Mbrëmë kryetari i komunës së Dragashit, Behxhet Xheladini, e ka vizituar në spital Vloran Krasniqin, i cili është bashkëshort, respektivisht baba i viktimave. Sipas Xheladinit, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Shoferi ndërkaq është ndaluar për 48 orë pasi ka marrë ndihmën mjekësore.