141 raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar sot në Kosovë, 7 prej të cilëve në Prizren.
Në Prizren edhe sot ndonëse krahasuar me dje është përgjysmuar, nuk është ndërprerë trendi me te infektuar të rinj, transmeton Gazeta e Prizrenit.
Një ditë më parë kishte 18 raste në komunën e Prizrenit.
Më 31 mars të këtij viti u konfirmua rasti i parë me COVID-19 në Prizren. Prej atëherë numri i rasteve erdhi duke u rritur. Aktualisht janë mbi 150 raste të konfirmuara me këtë sëmundje.
Nga fillimi i pandemisë në komunën e Prizrenit kanë vdekur 5 persona, mes tyre dy gra.
Sot janë testuar 397 mostra, që kanë dhënë 141 të infektuarit.
Rastet tjera janë: 42 raste në Prishtinë, kurse numër të madh rastesh ka edhe në Vushtrri (30), Pejë (18), Mitrovicë (11) e Obiliq (9). Në Fushë Kosovë gjashtë, në Gjilan pesë raste e në Podujevë katër. Virusi ka prekur edhe Mamushën me tri raste të reja, Vitinë (2), Kamenicën, Parteshin, Kaçanikun e Rahovecin me nga një rast.
Shtrirja është dukshëm më e madhe, në fshatrat e thuajse të gjitha komunave të prekura.
Shifra prej 141 rasteve është bindshëm më e larta deri më tani brenda 24 orëve. Dje ishin konfirmuar 129 raste të reja.
Sot janë shëruar vetëm pesë pacientë. Numri i të shëruarve ka arritur në 968.
Numri i të infektuarve në vend ka shkuar në 1756, kurse kanë vdekur 34 persona, të cilët kishin edhe sëmundje shoqëruese.
Numri i rasteve aktive është rritur në 754. /GazetaePrizrenit.net