Vazhdon ‘beteja’ mes AAK-së dhe Nisma-s për një deputet, ngushtohet diferenca
Me rezultatet momentale të kandidatëve për deputet, AAK-ja pritet t’i ketë pesë deputetë, ndërsa Nisma Socialdemokrate tre deputetë.
Megjithatë, ndarja e ulëseve në kuvend brenda koalicionit mund të ndryshojë dhe dy subjektet mund të jenë të përfaqësuar barabartë në legjislaturën e ardhshme.
Nisma mund t’i arrijë katër deputetë, duke ia hequr një deputet AAK-së nëse Vesel Krasniqi i Nimës e fiton garën me Lahi Brahimajn e AAK-së.
Dy kandidatët brenda listës së koalicionit po garojnë për një ulëse, e cila ndodhet në kontest. Dallimi mes tyre aktualisht është vetëm 190 vota.

Brahimaj dhe Krasniqi po luftojnë për vendin e shtatë brenda listës, pasi vendi i tetë do t’i përkas kandidates së Nismës, Xhevahire Izmaku. Ajo pritet të hyjë në kuvend si deputetja e tetë e koalicionit përmes kuotës gjinore.
Bazuar në rezultatet e kandidatëve për deputetë të përditësuara të enjten në orën 23:02, me afër 95% të votave të numëruara, Vesel Krasniqi e ka ngushtuar diferencën me Lahi Brahimajn në vetëm 190 vota, nga 246 vota sa ishte dallimi me përditësimin paraprak – pas numërimit të rreth 92% të votave.
Lahi Brahimaj, aktualisht numëron 10.973 vota, 190 vota më shumë sesa Vesel Krasniqi, i cili ka 10.783.
