Kërkesa për pezullim të Ligjit, në Kushtetuese ishte bërë pasi Avokati i Popullit ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruar kundër Ligjit për paga, duke përfshirë këtu edhe ankesat nga punëtorët në shëndetësi, arsim, polici dhe në shërbimin civil.
“Gjykata, pa paragjykim ndaj meritave të kërkesës dhe të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 30 mars 2020, vendosi njëzëri, që ta vazhdojë masën e përkohshme të vendosur me Vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 219/19, të datës të 12 dhjetor 2019, deri më 30 qershor 2020 dhe ta vazhdojë pezullimin e zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I”, ka thënë Gjykata në vendimin e saj të ri të publikuar sot.
Gjykata e konsideroi vazhdimin e masës së përkohshme si të domosdoshëm për dy arsye:
“Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin që Gjykata, pas caktimit të masës së përkohshme, ka pranuar një vëllim të konsiderueshëm të dokumenteve dhe të komenteve të dorëzuara nga palë të ndryshme të interesuara për pranueshmërinë dhe meritat e saj, të cilat duhet të trajtohen në raport me pretendimet e ngritura dhe me dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore”.
“Arsyeja e dytë për vazhdimin e masës së përkohshme është volumi jashtëzakonisht i madh i materialeve të pranuara nga Komisioni i Venecias dhe gjykatat kushtetuese/supreme pjesë përbërëse të Forumit të Komisionit të Venecias. Të gjitha këto materiale, përfshirë praktikën legjislative dhe gjyqësore të dorëzuar nga gjykatat anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, duhet të analizohen ashtu që Gjykata të mund t‘i aplikojë ato në rrethanat e rastit konkret, për aq sa do të jenë të aplikueshme”.