Vazhdon rritja e çmimeve, pos vezëve shtrenjtohet edhe mishi e qumështi
Ani pse kaluan festat e vitit të ri, çmimet e produkteve bazike po vazhdojnë të rritën. Së fundi këtij trendi, i janë bashkuar rritja e çmimit të vezëve, duhanit dhe mishit. Qytetarët po konsiderojnë se është gjendje alarmante pasi pagat nuk janë rritur. Deri në 2 euro më shtrenjtë se disa ditë më parë po kushton sot një komplet ve në tregun e Kosovës.
Ky është vetëm një nga disa produkte që pësuan rritje të çmimit pas festave të fundvitit. Pos kësaj, më shtrenjtë janë tani edhe produktet e qumështit, mishi e duhani.
Në marketët e vendit ka pasur raste kur një komplet vezë ka kushtuar deri në 5 euro e 15 cent. Këto ngritje të çmimeve Ministria e Tregtisë po thonë se po i inspektojnë. Ata nuk iu përgjigjën konkretisht televizioni Dukagjini nëse do të ndërmarrin ndonjë veprim.
“Inspektorati i Tregut gjatë muajve të fundit ka shtuar numrin e inspektimeve për mbrojtjen e konsumatorit, në veçanti për mbikëqyrjen e etiketës që tregon flamurin e origjinës së produktit. Këto inspektime kanë vazhduar edhe ditëve të festave zyrtare në Republikën e Kosovës. Në çdo rast janë duke u ndërmarr veprime në pajtim me legjislacionin në fuqi (gjoba dhe urdhëresë të menjëhershme për eliminim të parregullsive)”, kanë thënë Ministria e Tregtisë.
Pavarësisht që Ministria po thotë që inspekton, qytetarët po përballën me çmime marramendëse.