24-11-2024

Vdekja e studentit Gjinajt nga Suhareka, kush akuzoi profesorët për studentin e mjekësisë?

Vdekja e studentit të Fakultetit të Mjekësisë, Leutrim Gjinaj ka ngjallur shumë reagime nga ana e kolegëve të tij studentë. Në një profil në rrjetin social Facebook, me emrin “Senati i Universitetit të Prishtinës” është shkruar se profesorët e UP’së duhet të tregojnë maturi dhe kujdes me qasjen e tyre ndaj studentëve, duke i quajtur këta profesorë arrogantë dhe egoistë. Postimi u tha se nuk është bërë nga Senati, por përgjegjësinë e mori dikush tjetër.

Studenti Leutrim Gjinaj nga Suhareka, vdiq të hënën në moshën 23-vjeçare, pas një ataku kardiak të cilit nuk mundi t’i bënte ballë.

Vdekja e tij në moshë të re bëri që të reagojnë qytetarët e në veçanti kolegët e tij të fakultetit, të cilët u munduan të hedhin pluhur mbi stafin e Universitetit të Prishtinës, që sipas tyre po ushtrojnë presion të madh mbi studentët duke u munduar ta luajnë rolin e të vështirit.

Pas vdekjes së Leutrimit, një profil në Facebook, me emrin “Senati i Universitetit të Prishtinës” nëpërmjet një postimi ka reaguar duke thënë se profesorët po ua vështirësojnë studentëve kohën e studimeve duke u treguar arrogantë dhe egoistë me ta.

“Ndarja nga jeta e djaloshit të ri, student në Fakultetin e Mjekësisë, që ishte rrugës për tu bërë një mjek që do i shërbente vendit tonë nje ditë, është një lajmë i dhimbshëm dhe i vështirë për tu pranuar. Profesorët tanë duhet të tregojnë maturi dhe kujdes me qasjen e tyre me studentë, ata në rend të parë duhet të jenë si prindër të dytë, pastaj edhe shokë dhe tek në fund profesorë. Profesorë të nderuar, ju duhet të dini diçka më shumë rendësi, se bërja e të vështirit, arrogantit, egoistit dhe i të pakalueshmit, te studenti sjell vetëm frikë, stres dhe mjerim të vazhdueshëm”, ka shkruar ky profil në Facebook.

Mirëpo, sot ka ardhur një reagim tjetër nga vetë kjo faqe, në të cilin thuhet se ky profil nuk është i lejuar nga Senati i UP’së, madje një person ka shkruar se reagimin e ka bërë vetë dhe mbanë përgjegjësi morale por edhe penale. Adem Krasniqi, personi që e ka shkruar reagimin, ka thënë se kërkon falje që shkroi në emër të Senatit pa kërkuar leje, mirëpo thotë se nuk është bërë pishman për përmbajtjen e reagimit.

“Dje pasdite, në këtë faqe që thirret në emër të Senatit të “Universitetit të Prishtinës”, kam bërë një postim personalisht, ku kam kritikuar; stafin akademik, stafin e Universitetit të Prishtinës, dhe të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi morale dhe institucionale për vdekjen e djaloshit, studentit të Mjekësisë, që një ditë do i shërbente vendit tonë si një mjek shembullor, pasi i tillë ka qenë edhe gjatë studimeve. Reagimi im, ka qenë në emër të çdo studenti, unë kërkoj falje publike që kam përdorur faqen e Senatit, pa leje paraprake dhe për këtë mbaj çdo lloj të përgjegjësisë, por nuk i kërkoj askujt falje për përmbajtjen e shkrimit pasi që aty me pak fjale, tregohet për gjendjen e mjerueshme që po vazhdon në çdo cep të Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Krasniqi.

Express gjatë ditës së djeshme ka biseduar edhe me Drejtoreshën e Klinikës së Gjinekologjisë, Myrvete Paçarada, e cila ka thënë se Leutrimi ishte student shembullor dhe se e kishte përfunduar me sukses fazën e parë të provimit të Gjinekologjisë, lëndë kjo e cila ligjërohet nga Paçarada.

Ajo ka thënë se mjekët e Klinikës së Kardiokirurgjisë kanë punuar 10 orë me pacientin, mirëpo ai nuk ka arritur të mbijetojë. Ndërsa ka pohuar se kolegët e Leutrimit i kanë thënë Paqaradës se ai ka pasur probleme shëndetësore që nga fëmijëria.

Leutrimi është varrosur të martën në varrezat e fshatit Topliqan të Suharekës./GazetaExpress

Asnjë koment

Comments are closed.