22-11-2024

“Vdekja e turpit”

Nga Fahri Musliu

“Atje ku nuk ka turp mbisundon mendjemadhësia, arroganca, kaosi, pafytyrësia, egoizmi… kurse mos arsimimi e primitivizmi qëndrojnë në rendin e parë…”, thotë Sigmund Frojd

MOS TË PAJTOHEMI ME TË KEQËN!

A ka ardhur koha se secilit gjithçka i lejohet, se nuk ekziston konsiderata morale, nderi e respekti, çfarëdo përgjegjësie; se rrena, fyerja, etiketimi, shpifja, urrejtja, arroganca, neveria e të gjitha formave, është bërë mënyrë e zakonshme (gati e dëshiruar) e sjelljes.
A ka ardhur koha se ai, i cili turpërohet për shkak të veprimeve të veta apo të huaja të këqia – është i dyshuar, amoral, tip i marrë cilit nuk i shkruhet mirë, i cili e prish rendin e përcaktuar të gjërave (modelin e ri kulturor), i cili, si i tillë, është i rrezikshëm, element subverziv, i pjekur për izolim apo “shërim”?

Nëse kjo ju duket e tepruar, e vrazhdë dhe e sforsuar, po u japë këto argument:
Cilin personalitet publik (ose jopublik) e keni dëgjuar se e përmend fjalën “turp”? Mendohuni, provoni ta gjeni. Nëse megjithatë e gjeni ndonjë shembull, krahasone me numrin e atyre që kanë qenë të detyruar, e fjalën “turp” nuk e kanë përmendur, dhe do të shihni se dallimi është gati marramendës

Kjo, sot, më së miri shihet me anë të mediave, nëpërmjet faqeve të para apo të brendshme të portaleve (meqë Kosova është shteti i vetëm në botë ku nga fillimi i pandemisë Covid- 19, nuk ka gazeta ditore), emisioneve televizive, ose nëpër rrjetet sociale. Ç’ka marrë primat mbi ngjarjet botërore e të brendshme shoqërore, dhe kush janë heronjtë e ri deklaratat e terminët e të cilëve (të shkruar paraprakisht me iniciale dhe pika, e pastaj gjithnjë e më shpesh edhe pa këtë), publikohen si margaritarë të vërtet? Të bindemi edhe njëherë se– primitivizmi, vullgariteti, fyerjet, shprehja e zemërimit dhe e urrejtjes– janë meny e përditshme e pijetores së quajtur “fjala publike”.

A është turpëruar dikush nga të përgjegjshmit për atë që ka premtuar fuqishëm dhe pastaj, jo vetëm që nuk e ka realizuar, por zëshëm na bind se këtë kurrë as që e ka thënë? Sa sosh janë turpëruar për faktin se kanë krijuar pasuri të mëdha personale, e pranë tyre me qindra – mijëra njerëz të papunë e pa pensione përkatëse, jetojnë nën kufirin e poshtëm të varfërisë?..

Sa të tillë janë turpëruar që po e heshtin të vërtetën, që vlerat e rrejshme i promovojnë në vlera të vërteta, që injorantët i promovojnë në të ditur, e madje edhe në gjenial (forca banë fuqinë); që po i trillojnë e falsifikojnë biografitë për shkak të karrierës personale e afariste; që provimet në fakultet i kalojnë me lidhje apo para, që e blejnë diplomën e madje edhe doktoraturën, e nuk kanë as dije elementare; që i punësojnë akrabatë e partiakët e jo tjerët; që nga një familje kemi nga disa të punësuar, e disa nuk kanë asnjë (si të ishin mysafir në këtë shtet, madje presin në vend pune me vite të tëra me kualifikime përkatëse të fituar me dinjitet?

Sa të tillë janë turpëruar që cilësinë e vërtetë e kanë skajuar e që më lehtë të imponohen jovlerat, që kanë heshtur para dhunës ose pa-drejtësisë dhe kanë lejuar që agresiviteti ta marrë fjalën kryesore?

A ka mbetur pak turp nga institucionet në jetën e përditshme, kur është fjala për moskujdesin ndaj të moshuarve , fëmijëve, kafshëve? A thua horizonti mbi deponitë legale e më shumë ilegale anembanë Kosovës po skuqen nga turpi? E çka të themi për faktin se nëpër qytete kemi shumë pak lulishte, sepse në vend të tyre kanë mugulluar soliterët nga betoni e hekuri? Por edhe ato ekzistuese nuk kanë gjelbërim, banka, lojëra për fëmijë, nuk mirëmbahen. Duken të mjera, ku nuk ndalën as qentë.

Atje ku nuk ka turp mbisundon mendjemadhësia, arroganca, kaosi, pafytyrësia, egoizmi… kurse mos arsimimi e primitivizmi qëndrojnë në rendin e parë. Njëri nga filozofët e mëdhenj, Lucije Seneka ka thënë: „Çka nuk e mbron ligji- e mbron turpi!”

Prandaj, shoqëritë e civilizuara mbështeten në ndjenjën e turpit, ndoshta edhe më shumë se që mbështeten në ligj. Kur nuk ka turp, nuk ka as kufi të qartë midis të mirës e të keqes. Pa turp nuk ka as ndjenjë të fajit, as të pendesës, as të nderit. Ligjet as nuk mund ta rregullojnë shoqërinë as që mund ta civilizojnë.

Shoqëria kosovare dhe ajo shqiptare në përgjithësi, s’ka dyshim, është në gjendje të regresit afatgjatë që nga viti 1990 (Shqipëri) respektivisht 1999 (Kosovë). Ndonëse i dukshëm në çdo hap, ai regres ndoshta është më i evident me anë të fenomenit të zhdukjes së turpit dhe me anë të sundimit të pandershmërisë së përgjithshme.
Në procesin e civilizimit të shoqërisë, nga Adami e Eva deri më sot, ndjenja e turpit e ka pasur njërin nga rolet kryesore formuese. Ndjenja e turpit përcakton raportin tonë ndaj tjerëve, ndaj normave morale dhe etikës shoqërore. Sa më shumë është e pranishme ndjenja e turpit, shoqëria është më e civilizuar.

Procesi i civilizimit të shoqërisë mbështetet edhe në efektin e reputacionit, po ashtu sikurse rrjedhë edhe procesi i rritjes dhe i edukimit. Fëmijët i shikojnë dhe dëgjojnë prindërit, dhe gjatë rritjes e fitojnë vetëdijen për turpin. Sjellja e mirë, veset, vetëkontrolli, turpi dhe normat morale, gjithmonë, së pari paraqiten në shtresat më të arsimuara, e pastaj barten më poshtë.

Ky rol kyç i edukimit, sot po zhduket dhe kjo po ndodhë me fajin tonë. Primitivizmi dhe arroganca më nuk janë privilegj i shtresave më të ulëta të shoqërisë. Fjala është për sjelljen të cilin e ka përvetësuar një pjesë e madhe e elitës dhe po e shfrytëzon me të madhe në çdo rast dhe çdo shkas.

Nënkuptohej se seksi apo cullakllëku janë pjesë e hapësirës private tepër intime, sepse direkt janë të lidhura me ndjenjën shumë të vjetër të turpit. Jo për shkak të ligjit, veç për shkak të ndjenjës se aktit seksual nuk kryhet në rrugë, hapësirë publike, as para fëmijëve, as që rrugës shkohet cullak. Kjo ndjenjë elementare e normales sot po zhduket dhe është i dobët ngushëllimi se fjala është për fenomenin global (po shndërrohemi në fise primitive të Afrikës ku njerëzit janë gjysmë lakuriq, apo të Amazonisë).

Gjysma e shqiptarëve (kosovarëve) është magjepsur dhe pa fije turpi shikon programet televizive në të cilat “yjtë” e ri të estradës, turpërojnë publikisht duke thyer të gjitha tabutë të shoqërisë së denjë. Këtë paradë të mjerimit e të vullgaritetit, sipas të gjitha gjasave, e shikojnë bashkë fëmijët dhe prindërit, familjarët dhe miqtë e këtyre yjve, dhe duket se askush nuk turpërohet.

Këta “yje” më së shumti klikohen në rrjetet sociale, kurse në skenë ato nuk paraqesin vlera artistike (me tekste dhe zërin e vet) por e ekspozojnë trupin gjysmë cullak duke bërë lëvizje të turpshme erotike (bashkë me meshkuj), që janë një lloji i pornografisë primitive, dhe duket se askush nuk turpërohet.

Përkundrazi.Thua se uria për paranë është mbi çdo konsideratë normale dhe thua se mund ti arsyetojë të gjitha format e sjelljes. Këto veprime, për fat të keq, që e kanë metastazuar edhe shoqërinë kosovare, po bëhen model për rininë, kurse prindërit dhe shoqëria në përgjithësi, dhe shkolla në veçanti, këtë po e gëlltit ndonëse intimisht nuk pajtohen me këtë VDEKLJE TË TURPIT, në një shoqëri konservatore e primitive çfarë është shoqëria kosovare…

Ndjenja e nderit që është e lidhur ngushtë me ndjenjën e turpit, ngadalë po zhduket . Personalitetet publike në mënyrë rutine, çdo ditë dhe gati me ritual po vet-poshtërohen duke folur fjali të paturpshme poltrone, duke iu vardisur njerëzve me fuqi. Redaktorët, gazetarët, analistët, artistët ose profesorët që do të duhej të ishin në birën e miut për shkak të saj që e kanë folur, apo për shkak të asaj që nuk e kanë folur, e kanë qenë të obliguar, po shëtisin me krenari nëpër qytet, ose po vrapojnë nga studioja në studion televizive duke e helmuar me budallakitë e veta mbarë opinionin dhe nuk kanë fije turpi për atë që flasin.

Jo, këtu nuk është fjala për luftën politike, për ndarjen e Kosovës (edhe ashtu e ndarë në kalifate), dhe dallimet e zjarrta ideologjike (asnjë subjekt gati nuk ka ideologjinë e vet, ideologjia e tyre janë paratë), të cilat ndoshta shumë pak, në mënyrë ballkanike, kanë dalë jashtë kontrollit. Këtu është fjala vetëm për dobinë e kulluar.

Prapa çdo poshtërimi, prapa çdo paraqitje të turpshme , prapa çdo rrene të folur, janë interesat dhe gjurma e parasë.

Në skenën politike kosovare, e që nuk është më mirë as në skenën politike rajonale, e besa edhe globale, ku rrena dhe mungesa e turpit janë bërë super-vlera, patologjia po shihet qartë, dhe bëhet gjithnjë e më e pashme kur shkohet nga majat e pushtetit. Personat patologjik, sipas rregullit nuk kanë ndjenjë të turpit.

Ata u ngjajnë prostitutave moderne, jo të bordeleve, por të rrugëve e parqeve. Por është vështirë të besohet se të gjithë ata të cilët me ngulmë demonstrojnë mangësi të turpit, janë sociopat apo psikopat. Më parë do të jetë se fjala është për leckat njerëzore, dhe kjo vështirë mund të shërohet.

Midis atyre që po e vërejnë qartë se çka po ndodh në skenë, midis atyre që në mënyrë lucide e kritikojnë momentin e tashëm, ka shumë sosh që kanë qenë tolerant ndaj “të vetëve” e vet janë sjell jo-ndershëm në hapësirën publike, dhe kanë heshtur kur është dashur të flasin. Ndoshta këtë e kanë bërë me maturi, në mënyrë civile, elokuente, por kjo nuk e ndryshon thelbin. Ajo që po e shohim sot nuk ka nisur dje, e as që do të flaket nesër – kjo vetëm është metastazë e një procesi të gjatë (në Kosovë fill pas çlirimit, më 1999) të rrënimit sociologjik. Modelin e paturpësisë e kemi ushqyer gati të gjithë, dhe sot jemi bërë rob të këtij modeli, pa forcë dhe mundësi që ta ndryshojmë.

Por do të jemi dëshmitarë të shtrirjes së këtij turpi edhe në shumë sfera të jetës dhe do të kthehemi në modelin e jetës së shoqërisë primitive, kur për shkak të mungesës së turpit, e në emër të lirisë së shfrenuar, demokracisë së rrejshme dhe civilizimit e globalizmit, do të devalvohet çdo vlerë njerëzore e morale. A duhet të pajtohemi me këtë, apo duhet të aktivizohemi e ta ndalim hovim e këtij modeli të mbrapsht kulturor? UNË KURRSESI, POR BESOJ AS SHUMICA NGA JU. Prandaj mos ta pranojmë këtë degradim të shoqërisë dhe ta ngrejm zërin bashkë sot dhe menjëherë, se nesër mund të jetë vonë!!!.

 

Asnjë koment

Comments are closed.