21-11-2025

Vëllai i Besar Nimanit dënohet me burgim të përjetshëm, dënohet edhe motra

Gjykata Rajonale e Bielefeldit në Gjermani ka shpallur të hënën mbrëma vendimin ndaj dy të afërmve të boksierit të vrarë, Besar Nimani — një rast që ka tërhequr vëmendje të madhe edhe në Kosovë.

Berat Nimani në Gjykatën Rajonale të Bielefeldit

Vëllai i tij, Berat Nimani, është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa motra e tyre është dënuar me pesë vjet burg. Të dy u shpallën fajtorë për tentim vrasjeje, në kuadër të një përplasjeje të gjatë mes dy familjeve me prejardhje shqiptare dhe kurde në Gjermani.

Kryetari i trupit gjykues, Christoph Meiering, e cilësoi rastin si “të jashtëzakonshëm” për qytetin e Bielefeldit. Sipas gjykatës, Berat Nimani e kishte marrë ligjin në duart e veta pasi humbi besimin në institucionet gjermane pas vrasjes së vëllait të tij, boksierit Besar Nimani, në mars 2024.

Berati kishte qëlluar ndaj familjarëve të personit që vrau vëllain e tij, duke synuar, sipas gjykatës, të hakmerrej. Letra të shkruara nga burgu, sipas prokurorisë, tregonin përçmimin e tij të thellë ndaj familjes rivale.

Ndaj Beratit, prokuroria kishte kërkuar 12 vjet burg, por gjykata vendosi një dënim edhe më të rëndë. Edhe motra e tij u shpall fajtore për tentim vrasjeje, pasi sipas provave kishte qëlluar nga një automjet, megjithëse nuk kishte goditur askënd.

Përplasjet mes dy familjeve – njëra me prejardhje shqiptare dhe tjetra kurde – kanë nisur vite më parë. Edhe pse ende nuk dihet saktësisht shkaku kryesor, dyshohet se konflikti lidhet me aktivitetet të paligjshme, përfshirë tregtinë e drogës.

Kriza kulmoi pas vrasjes së Besar Nimanit në vitin 2024, një ngjarje që tronditi komunitetin shqiptar në Gjermani dhe diasporë. Autori i vrasjes është tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa një person tjetër i përfshirë është ende në arrati.

Asnjë koment

Comments are closed.