Vëllezërit Bytyqi nderohen me urdhrin “Hero i Kosovës”
Vëllezërit Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqi, të vrarë nga policia serbe në Serbi, janë nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës”.
Në një ceremoni të organizuar nga Konsullata e Kosovës në New York, kanë marrë pjesë prindërit e vëllezërve Bytyqi, familjarë tjerë të shumtë, ish-presidentja Atifete Jahjaga, ambasadorja Vlora Çitaku, konsulli Teuta Sahatçiu, përfaqësues të Batalionit “Atlantiku” dhe personaliteteve të tjera shqiptaro-amerikane.
Presidenti Hashim Thaçi, pas ndarjes së urdhrit “Hero i Kosovës” për dëshmorët Yll Bytyqi, Mehmet Bytyqi dhe Agron Bytyqi, për trimëri dhe sakrificë për lirinë e Kosovës, falënderoj SHBA-të dhe diasporën për kontributin e dhënë në lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Falënderojmë SHBA-të, diasporën tonë edhe ata në Evropë, që nuk kursyet asgjë për liri dhe pavarësinë e Kosovës. Erdhët dhe luftuat për çlirimin e Kosovës. Batalioni “Atlantiku” e ka një rol të jashtëzakonshëm historik edhe për forcimin e bashkëpunimit mes ShBA-ve dhe Kosovës në atë kohë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kështu që të gjithë në një formë apo tjetër kemi qenë luftëtarë edhe ata që kemi qenë në istikame edhe ata që kanë ndihmuar lirinë e pavarësinë e Kosovës kudo”, ka thënë presidenti Thaçi.
Babai i tre vëllezërve Bytyqi, falënderoi përfaqësuesit institucional, duke thënë se kjo ka qenë një ëndërr e tij, duke thënë se ju sot i respektoni vëllezërit tuaj, ushtarët tuaj, djemtë tuaj dhe gjithë ata që ranë në rrugën e lirisë. “Sot jam shumë i kënaqur që jemi bashkë dhe liria u fitua”, tha babai i vëllezërve Bytyqi, duke thënë se shqiptarët shquhen për krenarinë e tyre, dhe shtoi se edhe nga shteti në të cilin jetojnë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë mësuar shumë se si arrihet liria, duke çmuar kontributin e saj për lirinë e shqiptarëve.
“Do ta kthejmë në traditë dhe do ta ngrisim në kult respektin për vlerat e lirisë, për familjet që kanë bërë për liri dhe jam i bindur se do t’ju përulemi përjetësisht ndër breza për kontributin tuaj, e që vjen me shumë dhimbje për vëllezërit tuaj që ranë për liri. Lavdi e përjetshme”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se është padrejtësi që Ylli, Agroni e Mehmeti nuk janë më, por një drejtësi ka ndodhë, është liria e Kosovës.
“Tani liria e Kosovës është e drejta e Zotit, e drejta e luftës, dhe besoj se edhe drejtësia për vëllezërit Bytyqi duhet të vendoset. Më vjen mirë që familja nuk dorëzohet nga padrejtësia që i ka ndodhë, por po ashtu që kanë rreth vetës miq dhe bashkëluftëtarë. Është fat që brezi i ardhshëm do të rriten në liri”, theksoi ai./koha.net