Vendimi i MASHT-it për kompensimin e orëve të humbura mbetet në fuqi
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk e ka tërhequr vendimin për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës në arsim të cilin e ka nxjerrë në muajin shkurt. Javën e kaluar, ministri Shyqiri Bytyqi në një takim që e ka zhvilluar me përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në Komisionin parlamentar për arsim ka thënë se janë të gatshëm t’i plotësojnë kërkesat e Sindikatës.
Kërkesë kryesore e tyre është që të mos zbatohet vendimi i MASHT-it për orët e humbura, përderisa në Ligjin për paga nuk barazohet koeficienti i mësimdhënësve në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët.
Ministria e Arsimit nuk i është përgjigjur gazetës se çfarë do të ndodhë me vendimin e ministrit. Megjithatë, burime brenda këtij institucioni kanë thënë se deri më tani vendimi vazhdon të mbetet në fuqi dhe nuk është anuluar, shkruan sot Koha Ditore.
Këshilltari për media në MASHT, Valmir Gashi, përmes një përgjigje me shkrim ka deklaruar se Ministria nuk do të tërhiqet lidhur me kompensimin e orëve të humbura.
“Orët duhet të kompensohen, sepse është kërkesë e DKA-ve dhe Këshillit të Prindërve, e mbi të gjitha në interesin e nxënësve”, thuhet në përgjigjen e tij.
Nga ana tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është shprehur se ministri Bytyqi është duke vepruar në kundërshtim me zotimet që i ka dhënë ditë më parë. Sipas tij, kjo tregon se ai nuk është i gatshëm të bashkëpunojë me Sindikatën.