Vendimi për pushimin një javor në arsim pritet të merret nesër
Edhe pse në fillim të javës u paralajmërua se të mërkurën do të merret vendimi për mundësinë që java e ardhshme të jetë pushim në arsim, një vendim i tillë nuk u mor as të enjten.
Institucionet arsimore kanë mbetur në pritje të një konfirmimi nga Qeveria.
Në Ministrinë e Arsimit nuk kanë kthyer përgjigje, ndërkaq zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku, ka bërë të ditur se vendimin pritet ta marrë Komiteti për menaxhimin e pandemisë. E në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se Komiteti mund të mblidhet të premten dhe një nga pikat që do ta shqyrtojë do të jetë edhe kjo.
Propozimi për pushim njëjavor është kundërshtuar nga Këshilli i Prindërve, i cili konsideron se u bë pa asnjë analizë paraprake.
Kryetari i këtij këshilli, Ymret Reshiti, të enjten i ka kërkuar kryeministrit Hoti që të vazhdojë mësimi sipas 3 skenarëve e të mos dëmtohen nxënësit me shkëputje nga procesi arsimor.
“Ne duhet të tregojmë pjekuri edhe institucionale edhe menaxheriale sidomos në situata të vështira sikur kjo, prandaj unë i ftoj për pjekuri që në këtë rast të mos marrin një vendim të tillë, sepse nxënësit edhe ashtu janë të dëmtuar me shkurtime e mësim nga distanca dhe t’ua mundësojnë praninë fizike në shkolla e ta lehtësojnë sado-kudo atë problem të madh që e ka sjellë pandemia”, ka deklaruar Reshiti.
Të martën kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, paralajmëroi se po shqyrtojnë mundësinë që nga 22 marsi për 2 javë me radhë të kalohet në mësim online në të gjitha nivelet.
Mirëpo në një takim mes përfaqësuesve të Shëndetësisë, Arsimit, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve, MASH-i kërkoi që të mos ndodhë një gjë e tillë pa u bërë përgatitje paraprake për ç’gjë propozoi 1 javë pushim.
Për shkak të rasteve me Covid-19, aktualisht 5 shkolla janë duke punuar në skenarin C, 40 në skenarin B dhe pjesa tjetër në skenarin A.