Vendos gjykata, ua cakton nga një muaj paraburgim tre ish-gardianëve për krime lufte në Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tre persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Departamenti Special i kësaj gjykate ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.T., M.I. dhe N.C. kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur për paraburgimin e tyre, duke konstatuar se ekzistojnë kushte ligjore për këtë masë. Dy të pandehurit e parë, në cilësinë e gardianëve në Burgun e Prishtinës dhe paralelen në Lipjan, dyshohen se gjatë viteve 1998–1999, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë, kanë maltretuar në mënyrë sistematike të burgosurit shqiptarë me mjete të ndryshme, duke shkaktuar lëndime serioze trupore.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.T. dhe M.I., në cilësinë e personave zyrtar-gardian të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke i’u shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftim.
E njëjta akuzë rëndon edhe mbi të pandehurën N.C., e cila në cilësinë e gardianes në paralelen e Burgut në Lipjan, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të burgosurave shqiptare, në bashkëkryerje me persona të tjerë.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku real që të pandehurit, në rast të lënies në liri, mund të arratisen, të ndikojnë mbi dëshmitarët apo të shkatërrojnë provat, duke e cilësuar kështu paraburgimin si masën më të përshtatshme për vijimin e suksesshëm të procedurës penale