24-11-2024

Vendosen tabelat me adresa në komunën e Prizrenit (FOTO)

Disa rrugë të Prizrenit tashmë kanë tabelat e reja me emërtimet e tyre, ndërsa rreth 600 janë emërtime të reja.

Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, është duke e zbatuar projektin për emërtimin e rrugëve dhe shesheve në këtë komunë.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Lis Dorambari konfirmoi se punimet janë duke vazhduar me intensitet të shtuar, ndërsa në disa lagje si Ortakoll, pastaj rreth stacionit të autobusëve, rreth objektit të komunës etj., veç se kanë përfunduar punimet, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Emërtimi i rrugëve dhe shesheve është përcaktuar nga një komision prej 10 anëtarëve, i formuar në fillim të vitit 2014, ndërsa puna e këtij komisioni ka përfunduar me miratimin e propozimit për emërtimin e rreth 1800 rrugëve dhe shesheve në mbledhjen e Kuvendit Komunal, që ishte mbajtur në maj të vitit 2015. Rreth 600 janë emërtime të reja duke përfshirë edhe fshatrat e Komunës së Prizrenit.

Aktualisht janë vendosur shtyllat edhe në disa pjesë periferike dhe në fshatra për emërtimin e rrugëve.

Komuna ka sqaruar se shkaku i ankesave të shumta të qytetarëve për ndryshimin e emërtimit të disa rrugëve, procesi i emërtimit të rrugëve ka përfunduar para 4 vitesh, ndërkaq tani Komuna po e realizon punën e vendosjes së tabelave, e cila do të duhej të përfundonte shumë më parë.

Numri i përgjithshëm i shesheve është 30./GazetaePrizrenit.net

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Fotografia e Alush Shala

Fotografia e Osman Osmanaj

 

Asnjë koment

Comments are closed.