Vendosja e bustit të Skënderbeut dhe shtatores së Adem Jasharit në duart e kuvendarëve prizrenas
Organi më i lartë në nivel lokal, Kuvendi Komunal (KK) i Prizrenit në mbledhjen e sotme, do të diskutojë disa çështje të rëndësishme, përfshirë çështjen e vendosjes së bustit të Skënderbeut dhe shtatores së Adem Jasharit në Prizren, shkruan “GazetaePrizrenit.net
Komiteti për Politikë e Financa ka rekomanduar që në pikën e katërt të rendit të ditës, të diskutohet rreth mundësisë për ndërtimin të Bustit të Skënderbeut dhe shtatores së Adem Jasharit.
Një çështje tjetër mjaft e rëndësishme, që pritet me interesim është edhe ajo në pikën e pestë, ku parashihet: Diskutim, rreth logos së Komunës së Prizrenit dhe mundësia e rikthimit të vitit 1878. Ky është një propozim i asamblistit opozitar Shukri Çuni dhe kjo pritet të sfidojë përfaqësuesit e partive në koalicionin qeverisës.
Po ashtu kuvendarët do të diskutojnë edhe për propozim-vendimin për lejimin e ridestinimit të tokës bujqësore, në tokë ndërtimore, ndërsa në pikën 8, të rendit të ditës është Shqyrtimi dhe miratimi i propozim-buxhetit te Komunës së Prizrenit, për vitin 2019 dhe parashikimi për vitin 2020 dhe për vitin 2021.
Mbledhja si zakonisht nis në orën 10:00 ndërsa transmetohet nga televizioni lokal “Tv Opinion”./GazetaePrizrenit.net/