22-11-2024

Vera e Suharekës në tryezat evropiane

Kryeministri Avdullah Hoti, në kuadër të Javës së Biznesit Kosovar 2020, sot ka vizituar verarinë ‘’Agro Kosova Holding” në Suharekë.

“70-80 % e prodhimeve të Verarisë Suhareka del jashtë Kosovës me shënimin “Made in Kosova” dhe kjo është e rëndësishme’’, ka thënë Hoti.

Ai nënvizoi ndihmën që Qeveria i ka dhënë bizneseve për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Me këtë rast, shefi i qeverisë tha se deri më tani janë ndarë 270 milionë euro, përfshirë këtu edhe 60 milionë euro të shpërndara më herët. Prej tyre, 24 milionë euro në bujqësi duke dyfishuar subvencionimet për hektarë të vreshtave nga një mijë në dy mijë euro dhe subvencionimin për litër të verës nga 4 cent në 8 cent, si dhe për të gjitha produktet bujqësore pa përjashtim.

Hoti ka nënvizuar se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për bizneset edhe për vitin 2021, fillimisht shumën prej 182 milionë euro e cila pritet të rritet edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.

Shefi i qeverisë ka paralajmëruar se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike do të miratohet në Kuvend javën që vjen.

‘’Do të përmbyllet kjo çështje. Do të definohen edhe mjetet që do t’i marrin qytetarët nga kursimet e tyre dhe një listë e ndryshimeve ligjore, përfshirë mundësinë për t’i shtyrë obligimet tatimore, për t’i hequr ndëshkimet e nevojshme dhe për të rishikuar TVSH-në në lëndë të parë të prodhimit vendor e cila ka mbetur një çështje që duhet të adresohet’’.

Hoti ka falënderuar Aleancën Kosovare të Biznesit për organizimin e Javës së Biznesit Kosovar, aktivitet tradicional tash e 18 vjet.

Asnjë koment

Comments are closed.