26-11-2024

Vërtetohet pafajësia e ish-drejtorit të administratës në Prizren nga Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit, ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, dhe njëheri ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila më 14 shtator 2022 , kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-drejtorit të administratës në Prizren,Ilir Baldedaj.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren është refuzuar si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren është vërtetuar.

Apeli kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti është i qartë dhe i kuptueshëm.

“Aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.1.12 të KPRK-së, e të cilave u referohet në ankesë prokurori, ngase dispozitivi i aktgjykimit është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij, është i qartë dhe konkret”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka konstatuar se prokuroria nuk ka provuar nëse i akuzuari veprimet e tij i kishte bërë me qëllim të përfitimit.

“Gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka konstatuar se prokuroria nuk ka provuar aspektin subjektiv të akuzuarit, se dëmi i shkaktuar-Komunës së Prizrenit ishte bërë me qëllim t’i siguroj përfitim personit tjetër. Pra, gjykata e shkallës se parë ka bërë analizën e të gjitha provave të procedura gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta objektive, dhe të ligjshme të cilat i aprovon edhe kjo gjykatë”, thuhet tutje në vendim.

Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka ardhur në përfundim se në veprimet e të akuzuarit nuk vërtetohen tiparet esenciale të veprës penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

“Kolegji vëren se në ketë çështje penale gjykata e shkalle së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare në kuptim të vërtetimit të ekzistimit të veprës dhe përgjegjësisë penale të akuzuarit, mirëpo në bazë të lartcekurave, gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka ardhur në përfundim se në veprimet e të akuzuarit nuk vërtetohen tiparet esenciale të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 2 pika 2.1 dhe 2.2 lidhur me paragrafin 1 të KP, e lidhur me nenin 81 paragrafi 1. pika 1.1, 1.2, 1.4 dhe 1.5 të KPRK-së” thuhet në vendimin e Apelit.

 / Gazeta e Prizrenit /

Asnjë koment

Comments are closed.