11-01-2025

Vetëm 80 kandidatë mbesin në garë për gjyqtarë të gjykatave themelore

Komisioni për Rekrutim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pas shqyrtimit të ankesave të kandidatëve nga ana e Komisionit për Rishqyrtim, dje ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve të cilët e kanë kaluar testin me shkrim.

“Drejtësia Sot” njofton se vetëm 80 kandidatë kanë fituar të drejtën për të vazhduar ne procesin e mëtutjeshëm të rekrutimit të 54 gjyqtarëve të rinj në kuadër të gjykatave themelore.

Listën e plotë e kandidatëve që e kanë kaluar testin me shkrim e gjeni duke klikuar këtu .

Po ashtu, Komisioni njofton se listës i shtohen edhe kandidatët të cilët e kanë të përfunduar provimin dhe trajnimin fillestar mbi arsimin ligjor, konform nenit 37 të Rregullores Nr.03/2021 për rekrutimin, provimin, emërimin dhe riemërimin e gjyqtarëve.

Bazuar në këtë Rregullore, kandidatët e suksesshëm do t’i nënshtrohen fazës së intervistës, të cilës i paraprinë procedura e verifikimit të integritetit personal dhe profesional.

Ditën e mbajtjes dhe vlerësimit të intervistës me gojë, kandidati do t’i nënshtrohet një eseje në kohëzgjatje jo më shumë se tridhjetë (30) minuta, temën e së cilës do ta caktoj Komisioni për Rekrutim. Intervista me gojë regjistrohet përmes kamerave dhe për këtë njoftohet kandidati.

Eseja do të vlerësohet deri në katër (4) pikë, përkatësisht katër për qind (4%) e vlerësimit përfundimtar të procesit rekrutues, ndërsa intervista do të vlerësohet më së shumti njëzetë (20) pikë, përkatësisht njëzet për qind (20%) e vlerësimit përfundimtar të procesit rekrutues.

Në ditën e intervistës me gojë dhe esesë, kandidati informohet për përbërjen e Komisionit për Rekrutim dhe i kërkohet që menjëherë të deklarohet nëse kërkon përjashtimin e ndonjërit nga anëtarët e komisionit, duke dhënë edhe arsyet për një kërkesë të tillë. Për përjashtimin e anëtarit të Komisionit vendos Kryetari i Komisionit, ndërsa për përjashtimin e kryetarit të komisionit, vendosin anëtarët e Komisionit, me shumicë të thjeshtë të votave.

Para intervistës përpilohet lista me pyetje nga anëtarët e Komisionit për Rekrutim, të cilat duhet të jenë nga secila fushë juridike. Pyetjet e përgatitura nga komisioni i dorëzohen Njësisë, në mënyrë që të krijojnë tiketat me pyetje. Tiketa do të përmbajë tetë (8) pyetje, prej të cilave dy (2) pyetje nga lëmia penale, dy (2) nga lëmia civile dhe nga një (1) pyetje nga lëmia administrative, ekonomike, të drejtat e njeriut dhe kodi i etikës.

Vlerësimi i intervistës me gojë dhe i esesë, bëhet sipas formularit standard i cili do të jetë pjesë e kësaj Rregulloreje. Rezultati përfundimtar i intervistës me gojë dhe esesë për një kandidat fitohet duke nxjerr mesataren e pikëve të fituara nga secili anëtar i Komisionit për Rekrutim.

Rezultati përfundimtar për suksesin e një kandidati llogaritet mbi bazën e mbledhjes së pikëve të arritura në testin kualifikues, testin me shkrim, esenë dhe intervistën me gojë.

Pavarësisht suksesit të lartë të kandidatit në një pjesë të provimit, në çdo rast, një kandidat konsiderohet se nuk e ka kaluar me sukses provimin për gjyqtarë, nëse nuk arrin të marr së paku gjashtëdhjetë e shtatë (67) pikë, nga rezultati përfundimtar i pikëve nga njëqind (100) pikë, sa janë të mundura në tërë procesin rekrutues.

Kujtojmë që faza e testit me shkrim në konkursin për gjyqtarë të rinj ishte mbajtur më datë 5 dhe 6 shkurt 2021, në të cilin kishin marrë pjesë 163 kandidatë, të cilët paraprakisht e kishin kaluar testin kualifikues.

Një ditë më pas, Komisioni kishte filluar vlerësimin e testit me shkrim, ndërsa më 11 shkurt 2022, brenda afatit të përcaktuar me Rregullore, ka publikuar listën preliminare të kandidatëve që e kanë kaluar me sukses këtë fazë.

KGJK, në bazë të vendimit të datës 1 nëntor 2021, ka bërë shpalljen publike për 54 pozita për gjyqtarë në kuadër të gjykatave themelore, prej tyre 8 pozita janë të rezervuara për kandidatët që vijnë nga komuniteti serb në Kosovë.

Këshilli, përmes këtij njoftimi publik, ka ftuar të gjithë profesionistët e kualifikuar ligjor që të aplikojnë për pozitën e gjyqtarit në Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës.

Sipas shpalljes, me rastin e rekrutimit të një kandidati, KGJK, në mes tjerash do të marrë parasysh kriteret si në vijim: të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; të ketë diplomën e Fakultetit Juridik të vlefshme në Republikën e Kosovës; të ketë të kryer provimin e Jurisprudencës të pranuar sipas ligjit të aplikueshëm në Republikën e Kosovës; të ketë reputacion të lartë profesional dhe integritet personal.

Po ashtu, kandidati të mos jetë i dënuar për vepër penale, me përjashtim të veprave penale të kryera nga pakujdesia, të ketë së paku tre (3) vite përvojë pune në fushën juridike si dhe të ketë kaluar provimin për gjyqtar sipas Rregullores në fuqi. Ky proces është duke u monitoruar dhe raportuar në vazhdimësi nga Projekti “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”, i financuar nga Ambasada Britanike në Kosovë dhe i implementuar nga GLPS. / Drejtësia Sot

Asnjë koment

Comments are closed.