23-11-2024

Vetëm disa lule të hedhura në Lumbardhin e Prizrenit, në përvjetorin e nëntë të vdekjes së aktorit Bekim Fehmiu

Miq, dashamirë, qytetarë e disa zyrtarë institucionesh, në kontekstin e shënimit të 9-vjetorit të shuarjes së aktorit të madh shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiut, sot nga “Ura e Gani Tadës” hodhën lule në lumin Lumbardh të Prizrenit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Në kujtim të figurës madhore të tij, njëri nga nismëtarët e këtij aktiviteti simbolik përkujtimor, Fahri Musliu, ndër tjera kritikoi institucionet dhe komunitetin artistik, të cilët nuk kanë paraparë ndonjë aktivitet përkujtimor kushtuar aktorit.

“Bekim Fehmiu, do të mbahet gjallë falë veprës së tij në kinematografinë botërore, ndërsa Prizreni duhet të bëjë më shumë për të”, tha Musliu, i cili ka shkruar edhe një libër kushtuar aktorit prizrenas.

Miku i fëmijërisë, Salajdin Krasniqi, përcolli kujtime kur Bekim Fehmiu, po arrinte shkëlqimin e tij të madh në kinematografinë  e asaj kohe, ndërsa  aktori Xhevdet Doda ka lexuar disa nga deklaratat e shumta që Bekim Fehmiu kishte bërë në shtypin e kohës.

Nismëtarët e këtij projekti janë shprehur optimist së vitin e ardhshëm kur mbushen 10 vjet nga vdekja e aktorit Fehmiut, do të ketë aktivitete institucionale për të përkujtuar me dinjitet figurën madhore të aktorit të famshëm./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.