Vetëm fjalimet në Kuvendin e Prizrenit nuk e përmirësojnë gjendjen e rënduar në arsim
Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit për gjendjen në arsim dhe deklarimet e kuvendarëve nxori në pah shumë probleme, por edhe shkelje në njërin nga sektorët më të ndjeshëm, prej të cilit edhe varet arsimi i gjeneratave.
Këtë e dëshmuan fjalimet nga kuvendarët e të gjitha subjekteve politike, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Përkundër seriozitetit të situatës, të elektrizuar edhe më tepër pas veprimit të kryetarit të komunës, Mytaher Haskuka për të larguar në mënyrë selektive disa nga drejtorët e shkollave, në prag të fillimit të vitit shkollor, dhe zëvendësimin e tyre me mësimdhënës pa konkurs, që nxiti edhe reagimin e opozitës për mbajtje e seancës së jashtëzakonshme, Haskuka nuk tregoi sjellje serioze gjatë seancës.
Ai nuk tregoi gatishmërinë për t’i dëgjuar kuvendarët në mënyrë që të kuptojë problemet, por e lëshoi mbledhjen derisa seanca vazhdonte.
Haskuka në vend që të reflektonte ndaj kërkesës së opozitës, që kërkoi dorëheqjen e drejtoreshë së Arsimit, për siç u tha për shkak të shkeljeve të shumta ligjore, kryetari në një konferencë shtypi një ditë më pas, duke mbrojtur drejtoreshën, kësisoj mori përgjegjësinë për gjendjen e krijuar.
Për më keq, pas presionit publik dhe të opozitës për rolin e ish-drejtorit të larguar, Skënder Susurit në DKA, që sipas opozitës në prapavijë po ia servon vendimet drejtoreshës aktuale Xhemile Vezgishi, kryetari Haskuka ka pranuar rikthimin e Susurit në Drejtorinë e Arsimit në Prizren, tash në pozitën e koordinatorit dhe mbikëqyrësit të projekteve në këtë drejtori.
Kësisoj Haskuka ka pranuar riciklimin e një kuadri, të dënuar 5 muaj më parë nga Gjykata në Prizren për dallavere me konkurs të punësimit sa ishte në krye të DKA-së, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Në anën tjetër opozita dukej se mbledhjes së kërkuar i kishte hyrë pa një koordinim dhe pa aprovuar kurrfarë konkluzioni lidhur me arsimin në Komunën e Prizrenit. Ndër to sigurisht do të ishte edhe formimi i një komisioni i cili do t’i evidentonte të gjitha parregullsitë dhe që Kuvendit Komunal do t’ia propozonte masat konkretet për dalje nga situata e krijuar.
Vlen të përmendet se në legjislacionin e kaluar të KK ka pasur një Komision për Arsim, ndërsa në këtë përbërje ai nuk është formuar fare. /Gazetae Prizrenit.net/