09-09-2025

Vetëv*arja e të paraburgosurit në Burgun e Hajvalisë, Prokuroria zbardhë detaje për rastin – SHKK hesht

Mbrëmë rreth orës 21:00 është raportuar një rast i rëndë në Burgun e Hajvalisë, ku i paraburgosuri Lulzim Selmani u gjet i vetëvarur në pavijonin B2, qelia nr. 8.

Për rastin sot është deklaruar për Gazetën Sinjali edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e çështjes”, thuhet në përgjigjen e Kaltrina Shalës, zëdhënëses së kësaj prokuroria për Gazetën Sinjali.

“Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Për zhvillime të reja rreth rastit aktual ju njoftoj me kohë”, tha tutje ajo.

Gazeta Sinjali për këtë çështje i ka shkruar edhe Shërbimit Korrektues të Kosovës, institucion ky që merret me menaxhimin e burgjeve e që funksionin në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, por deri në publikimin e shkrimit ende nuk ka kthyer përgjigje.

Megjithatë, në një reagim të natës së kaluar, ky institucion tha se stafi korrektues dhe ai mjekësor kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së informatës, ndërsa edhe ekipi i Emergjencës së Qytetit ka vazhduar përpjekjet për reanimim.

Megjithatë, përkundër intervenimit të shpejtë, nuk është arritur të shpëtohet jeta e të paraburgosurit.

Për rastin, ende asnjë fjalë s’e ka thënë as Blerim Sallahu, i cili më 27 gusht është emëruar ushtrues detyre i ministrit të Drejtësisë nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas zgjedhjes së Albulena Haxhiut në pozicionin e nënkryetares së Kuvendit.

Pas vetëm 13 ditësh në detyrë, në burgun e Hajvalisë ndodh një tragjedi: një i paraburgosur kryen vetëvrasje.

¹

Si ndodhi rasti?

Burimet e Gazetës Sinjali brenda SHKK-së bëjnë të ditur se Lulzim Selmani ka qenë i vetëm në qeli në momentin e ngjarjes.

Zyrtarët korrektues kanë njoftuar menjëherë hetuesinë dhe forenzikën, ndërsa njësia mjekësore ka konstatuar vdekjen në orën 21:07.

Edhe pse fillimisht kishte shenja jete dhe u tentua reanimimi, përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.

Hetuesit dhe forenzika tashmë kanë nisur procedurat për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes tragjike.

Lulzim Selmani ishte arrestuar pak javë më parë për një rast kanosjeje ndaj 22-vjeçarit Ilmi Kongjeli nga Lipjani.

Selmani e kishte kërcënuar vazhdimisht përmes Messenger-it dhe kishte postuar fotografi të tij dhe babait në Facebook me fyerje e shpifje.

Pas denoncimit, më 12 korrik ai ishte ndaluar në Aeroportin “Adem Jashari” dhe me urdhër të prokurorit ishte dërguar në ndalim, e pastaj me vendim të gjykatës në paraburgim

Asnjë koment

Comments are closed.