25-11-2024

Vetëvendosja s’i do Nismën e AKR-në në qeveri

Koalicioni Nisma-AKR-PD akoma është në rrezik për të mos e kaluar pragun zgjedhor.

Nga vendvotimet që janë numëruar deri më tani ky koalicion është rritur për një numër të vogël të votave.

Aktualisht Nisma-AKR-PD është vetëm 25 vota mbi pragun zgjedhor, por edhe pse zyrtarisht nuk dihet nëse ky koalicion do të jetë përfundimisht pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit partia e Behgjet Pacollit.

AKR-ja, ka ndarë mendjen që nëse dy partive potenciale për të krijuar Qeverinë, LVV-së e LDK-së, u duhen vota për një qeveri më të fortë ata janë të gatshëm ta lënë koalicionin e të futen në Qeveri.

Njohësi i rrethanave politike Mazllum Baraliu ka thënë se ka rrezik real që Nisma të mos e kalojë pragun. Sipas tij, në momentin që partive të tjera u rriten votat me rinumërime, atëherë edhe Nismës i rritet pragu dhe rrjedhimisht mund të mbesë jashtë Kuvendit.

“Është një numër i madh i vendvotimeve. Mund të dalë një rezultat që nuk i konvenon Nismës, sepse të gjitha partitë mbi Nismën, nga LVV-ja e deri tek AAK-ja, kanë më tepër prioritet dhe më shumë vota. Sa më shumë që dalin përmirësimet e gabimeve që shkojnë votat në favor të këtyre subjekteve politike Nismës i rritet pragu dhe e ka të vështirë ta kalojë atë, andaj logjikisht është e mundur të pritet moskalimi i pragut nga Nisma”, ka thënë Baraliu për Zërin.

Ai po ashtu tha se, duke u bazuar në deklarimet e deritanishme të LVV-së e të LDK-së që të mos bëjnë koalicion me asnjë nga partitë që ishin pjesë e Qeverisë në largim, është e vështirë, thuajse e pamundur futja e AKR-së ose e Nismës në Qeveri.

“Duke u bazuar në parimin kryesor të këtyre partive që ishin në opozitë dhe tani potencialisht për të qeverisur, është thënë që me partitë të cilat ishin në qeverisjen e fundit s’mund të ketë koalicion. Vetëvendosja është deklaruar se nuk bën koalicion me askënd nga PAN-i”.

“Në qoftë se i përmbahen këtij parimi s’mund të ketë marrëveshje mes tyre. Po ashtu AKR-ja nuk është se do të ketë ndonjë potencial të veçantë, krejt çka mund të marrë është dy deputetë”.

Asnjë koment

Comments are closed.