Vetëvendosje ankohet në PZAP pasi u shpallën qindra fletëvotime të pavlefshme
Rama ka shkruar në Facebook se ankesa është dorëzuar “duke parë se KQZ-ja nuk është e gatshme t’i korrigjojë shkelje për arsye krejtësisht politike”, derisa ka shtuar se arsyeja është që qytetarët s’i kanë shtypur siç duhet fletëvotimet.
“Me qindra fletëvotime, si këto më poshtë, janë shpallur të pavlefshme nga numëruesit e QNR-së për një arsye absurde, sepse qytetarët nuk i kanë shtypur ato siç duhet. Por në të gjitha këto fletëvotime qëllimi i votuesit është i qartë dhe i pakontestueshëm”, ka deklaruar Rama.
Zyrtari i VV-së ka shtuar se shumica e anëtarëve të KQZ-së kanë qëllim t’i shpallin fletëvotimet e pavlefshme “për të shkelur përcaktimin dhe vullnetin e qytetarëve”.
“Por aq sa është i qartë vullneti i qytetarëve në këto fletëvotime, po aq i qartë është edhe qëllimi i shumicës së anëtarëve të KQZ-së për t’i shpallur ato të pavlefshme, një përpjekje kjo e qëllimshme për të shkelur përcaktimin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës në mërgatë dhe me këtë edhe parimet themelore të demokracisë. Duke parë që KQZ-ja nuk është e gatshme të korrigjojë këto shkelje për arsye krejtësisht politike, kemi dorëzuar tashmë ankesën tonë në PZAP”, ka thënë ai.
Lëvizja Vetëvendosje prin e para edhe për kah numri i votave me postë, derisa ende s’ka përfunduar numërimi.