Video skandali në zyrë/ Dënohet Safet Gjici për shpërdorim detyre, ndërsa Alma Kaci për prostitucion
Ish-kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici dënohet me tre vite burg për shpërdorim detyre, i konvertuar dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa 1 vit burg ka dhënë për Alma Kaçin me akuzën e prostitucionit.
Gjykata ndryshoi akuzën për Gjicin nga korrupsioni pasiv në shpërdorim detyre dhe për Kaçin nga korrupsion aktiv në prostitucion.
“Vuajtja e dënimit për të pandehurin Safet Gjici fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit Safet Gjici i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Sipas Prokurorisë Speciale SPAK, Safet Gjici ka përfituar favore seksuale nga Kaci, duke i premtuar kësaj të fundit një projekt për qentë, ndërsa kjo e fundit ja ka ofruar favoret, përderisa kryen marrëdhënie seksuale në zyrën e punës së kryebashkiakut.
Para shpalljes së vendimit, ish-kryebashkiaku kërkoi pafajësi gjatë konkluzioneve të mbrojtjes duke pretenduar se nuk ka shkelur asnjë ligj, ndërsa i kërkoi falje familjes.
“Unë kam marrë dënimin më të madh, dënimin moral. U kërkoj falje familjarëve të mi dhe qytetarëve të Kukësit”, tha Gjici.
Në muajin Qershor 2023, 1 muaj pas zgjedhjeve lokale kur dhe Gjici u rizgjodh si kryebashkiak i Kukësit, në rrjetet sociale u shfaq një video erotike e Safet Gjicit me Alma Kaçit në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit.