Vihet gurthemeli i çerdhes publike në Prizren
1 Qershori- Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve në Prizren është shënuar me vënien e gurthemelit të çerdhes së parë publike, të cilin e bëri kreu komunal, Mytaher Haskuka.
Ky projekt që nisi në lagjen 11 marsi, afër shkollës fillore “Lekë Dukagjini” është investim vetanak i Komunës.
Haskuka ka thënë se ashtu siç edhe ka premtuar do të vazhdojë edhe me ndërtimin e projekteve të tjera të kësaj natyre gjatë këtij mandati, por nuk ka përcaktuar se ndonjërin se ku do të realizohet.
“Sa më të vegjël kyçen fëmijët në institucione arsimore aq më shumë përparojnë intelektualisht dhe emocionalisht. Prandaj, investimi në çerdhe publike, është po aq i rëndësishëm sa investimi në institucione të arsimit të lartë”, ka thënë kryetari, duke ua uruar festën fëmijëve dhe prindërve.