Vihet nën kontroll zjarri që dje shpërtheu në Pashtrik (video)
Flakët kanë kapluar një pjesë të bjeshkës së Pashtrikut dhe sipas autoriteteve komunale përhapja e tyre është vënë nën kontroll në saje të intervenimit të zjarrfikësve. Sipas zyrtarëve të lartë të Komunës së Prizrenit dyshohet se zjarri është shkaktuar nga dora e njeriut. Ata kanë pohuar se ka dëme materiale, por akoma nuk e kanë saktësuar sipërfaqen e djegur, pasi sipas tyre zjarri po vazhdon. Në të njëjtën kohë kanë kërkuar që banorët e kësaj ane të jenë të kujdesshëm deri në njoftimin mbi shuarjen e plotë të zjarrit.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se të mërkurën para mesditës organet komunale janë njoftuar se një pjesë e bjeshkës së Pashtrikut është kapluar nga zjarri,ka shkruar koha.net.
Ndërsa drejtori i Emergjencave në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj ka pohuar se zyrtarët e këtij dikasteri janë në terren bashkë me ekipet e zjarrfikësve, derisa në vendngjarje kanë dalë edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe të Agjencisë Pyjore. “Në terren janë dy ekipe zjarrfikësish së bashku me sezonalët, pasi ende ka zjarr”, ka thënë Dakaj.
Sipas tij, dyshimet janë se zjarri është shkaktuar nga dora e njeriut, megjithëse ka theksuar se pritet raporti i inspektorëve përkatës. Ai ka pohuar se zjarri të mërkurën ka shkatërruar disa hektarë pyje, por ka shtuar se sipërfaqja e saktë ende nuk dihet.
“Disa hektarë janë djegur, por s’dihet saktë, sepse zjarri po vazhdon”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, ka konfirmuar rastin e zjarrit në bjeshkën e Pashtrikut, por nuk ka qenë në gjendje që të japë hollësi të tjera, pa i pranuar raportet e njësive përkatëse policore. Javë më parë Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përkatësisht Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës ka përgatitur propozimin për shpalljen e Malit Pashtrik dhe Liqenit të Vërmicës si Zonë e Mbrojtur në kategorinë Park i Natyrës. Ky dokument është vënë në diskutim publik deri më 12 tetor 2018. Aty shkruan se Mali i Pashtrikut dhe Liqeni i Vërmicës janë zona të rëndësishme të biodiversitetit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, dhe se bazuar në raportet e bëra nga ekspertët në terren është konstatuar se kjo zonë është e pasur në aspektin gjeologjik, pedologjik, floristik, faunistik, etj.
Gjithashtu theksohet se MMPH-ja ka nxjerrë vendimin për vënien nën mbrojtje paraprake të një pjese të Malit Pashtrik dhe Liqenit të Vërmicës, si zonë potenciale për shpallje vlerë e mbrojtur e natyrës në kategorinë e Parkut Natyror/Zonë e Mbrojtur Ndërkufitare. Ndërkaq aprovimin për vënien e kësaj zone nën mbrojtje ligjore sipas dokumentit e kanë dhënë edhe Komunat Gjakovë dhe Prizren.
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, Parku i Natyrës paraqet zonë të madhe natyrore ose pjesërisht artificiale të tokës dhe ose ujit me karakteristika ekologjike të rëndësisë kombëtare e ndërkombëtare me vlera të theksuara të larmisë peizazhore, edukative-arsimore, kulturo-historike dhe turistike-rekreative, në të cilin lejohen veprimtaritë ekonomike dhe aktivitetet e tjera me të cilat nuk rrezikohen roli dhe karakteristikat e rëndësishme të tij.
Me këtë rast, në profilin e facebook-ut të kryetarit Haskuka, është publikuar edhe një video xhirim amator, ku shihet që një pjesë e malit e përfshirë në tym: